Kryeministri Dimitar Kovaçevski në kuadër të agjendës së tij për takime bilaterale në margjinat e Konferencës së sigurisë në Mynih, sot u takua me kryeministrin e Republikës së Greqisë, Kirijakos Micotakis.
“Në takim u shpreh kënaqësia e të dyja palëve për forcimin e vazhdueshëm të dialogut politik në vitet e fundit, pasuar me vizita dhe takime të nivelit të lartë që kontribuan në intensifikimin e mëtejshëm të dinamikës dhe ndërtimin e besimit mes dy vendeve dhe rritjen e bashkëpunimit ekonomik”, informoi shërbimi për shtyp i qeverisë.
Interesin e përbashkët për avancimin e marrëdhënieve të ndërsjella të dy ministrat e njohin edhe në investimet e përbashkëta strategjike dhe kapitale energjetike siç është pjesëmarrja e Maqedonisë së Veriut në terminalin e gazit të lëngshëm në Aleksandropulos dhe ndërtimi i interkonjeksionit të gazit natyror me Greqinë.
Në takim, kryeministri Kovaçevski shprehu kënaqësinë për marrëdhëniet bilaterale dhe miqësinë mes dy vendeve, e cila, siç tha, ka potencial të madh për avancim dhe zgjerim të mëtutjeshëm, në përputhje me partneritetin strategjik të përcaktuar me Marrëveshjen e Prespës.
Ai u falënderua për mbështetjen e fuqishme të Greqisë për Maqedoninë e Veriut për miratimin e kornizës negociuese për fillimin formal të negociatave për anëtarësim me BE-në, e cila u riafirmua edhe në këtë takim.