Fushata zgjedhore hyn në ditët e fundit të saj. Partitë politike kanë edhe katër ditë kohë të shpalosin programet e tyre zgjedhore para votuesve. Heshtja zgjedhore fillon mesnatën mes 15 dhe 16 tetorit.
– Advertisements –
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve bën të ditur se ka kompletuar numrin e pajisjeve të parapara për votim biometrik. 4000 aparatet për identifikimin e votuesve me shenjat e gishtave tashmë janë në hapësira të sigurta, në pritje për t’u shpërndarë në Komisionet Komunale Zgjedhore dhe më vonë nëpër vendvotime. Për përdorimin e tyre vijon trajnimi i këshillave zgjedhor i cili duhet të përfundojë nesër. Votimi me këto pajisje do të zbatohet për herë të parë më 17 tetor.
Mënyra e vjetër e votimit me UV-llambë dhe sprej në vendvotim do të zbatohet vetëm në rastet kur KSHZ-ja të konstatojë se një këshill zgjedhor përballet me probleme të pariparueshme teknike të aparatit, dhe me pamundësi për ta zëvendësuar atë. Me mënyrën e vjetër do të votojnë edhe të sëmurët dhe personat me vendim për izolim. Deri tani shumë pak prej tyre kanë treguar interesim dhe janë paraqitur për të votuar kurse mundësia për paraqitje mbetet e hapur.
Ndërkohë, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve thotë se i ka ndërmarrë të gjitha masat për të reduktuar mundësinë e paraqitjes së pengesave në sistemin për publikimin e rezultateve gjatë ditës së zgjedhjeve. Pengesa të këtilla ishin paraqitur në procesin e kaluar zgjedhor si pasojë e sulmeve kibernetike në softuerin për publikimin e rezultateve. Nënkryetarja e këtij institucioni Ditmire Shehu thotë se është ndërtuar strategji dhe është formuar një komision për menaxhimin e situatës në rast të sulmeve kibernetike në sistem.
Përveç shërbimeve të KSHZ-së në lëminë e IT-së, në komision bëjnë pjesë edhe profesorë të fakultetit të IT-së. Gjithashtu kemi të angazhuar të punësuar nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe ekspertë të jashtëm që atë ditë, në momentin kur të detektohet problem, të kemi edhe zgjidhje të menjëhershme – deklaroi Ditmire Shehu, nënkryetare e KSHZ-së.
Sipas Shehut, edhe operatori i zgjedhur kësaj radhe për softuerin për publikimin e rezultateve e ka detyrim që të bëjë testim paraprak të aplikacionit.
Fatlume Dervishi