Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), sot ka prezantuar Programin
zgjedhor për komunën e Likovës.
Zekirja Shaini, bartësi i listës së kandidatëve për këshilltarë në
komunën e Likovës në konferencën e sotme për shtyp tha se Programi i
përpiluar për zhvillimin e Likovës është për jetë më cilësore të
qytetarëve të saj dhe në fokus ka përmirësimin e infrastrukturës
rrugore, rekonstruimin dhe mirëmbajtjen e rrjeteve të ujësjellësit,
kanalizimit dhe ujitjes, menaxhimin e mbeturinave, arsim cilësor,
mbrojtje më të madhe shëndetësore dhe shumë sfera të tjera të jetës
shoqërore.
Në vazhdim po ua përcjellim fjalimin e plotë nga konferenca e sotme për
shtyp:
Të nderuar qytetarë,
Të nderuar përfaqësues të mediave,
Sot prezantojmë para jush programin zgjedhor të Bashkimit Demokratik për
Integrim për komunën e Likovës, që është bazuar në Agjendën e blertë dhe
pesë përbetimet e BDI-së.
Nuk ka zgjedhje më të rëndësishme për jetën e përditshme se zgjedhjet
lokale – në këto zgjedhje ju vendosni për vendin në të cilin do të
jetoni, ju vendosni për të ardhmen e vendit tuaj.
Agjenda jonë e gjelbërt personifikon një plan të realizueshëm për t’i
zhvilluar komunat tona, më të gjelbra, më moderne. Me veprim konkret
bashkangjitur projekteve konkrete për përmirësimin e cilësisë së jetës
dhe standarteve të jetesës për të gjithë qytetarët.
Rrugën tonë deri sot e kemi bërë bashkë, bashkë edhe do të vazhdojmë.
Të dashur qytetarë të komunës së Likovës,
Është nder për mua që të paraqes programin zgjedhor për vazhdimin e
vizionit tonë edhe për katër vite të tjera, për të mirën e qytetarëve të
Komunës së Likovës.
Ashtu si deri tani do vazhdojë të funksionojë në mënyrë efikase dhe
efektive në shërbim të qytetarëve dhe detyrave tjera administrata
komunale.
Të nderuar,
Projektet infrastrukturore që janë të parapara për realizim në Komunë të
Likovës për mandatin 2021 – 2025 janë të shumta e që përfshijnë
ndërtimin e rrjeteve të ujësjellësit, urbanizim të shumë vendbanimeve,
asfaltim dhe rekonstruim të rrugëve në fshatra,
Arsim me cilësi të lartë në komunën tonë është prioritet i jonë
përfshirë këtu izolim, lyerje nga jashtë me fasadë të objektit të
shkollës qendrore, rregullimi i oborrit dhe parterit të shkollave.
Ndërtimi i bibliotekave, dhënia e bursave për çdo vit për 50 studentë.
Ambient i pastër jetësorë gjithashtu është pjesë e Agjendës tonë e në të
përfshihen edhe projektet për rregullimin e shtratit të lumit në të
gjithë fshatrat përfshirë këtu Sllupçanin, Hotlën, Mateçin,, Likovën,
Orizaren etj.
Kulturë e pasur do të thotë investim në këtë fushë, e komuna e Likovës
ka paraparë ndërtimin e Shtëpisë së kulturës në Mateç, mbështetje
financiare për korrin komunal të Likovës, manifestimi e 2 Majit, e shumë
evenimente të tjera kulturore të cilat pasurojnë trevat tona.
Rinia, sporti dhe rekreacion bëjnë pjesë në programin tonë zgjedhor e në
të përfshihet ndërtimi i sallave sportive në Llojan, rregullim tereni
sportiv në Nikushtak, Ropalcë, Vishticë etj.
Zhvillimi rural dhe bujqësia janë pjesë e programit tonë e me këtë do të
intensifikojmë kontaktet me ekipin e ekspertëve të bujqësisë që janë për
çdo javë në Komunën tonë dhe në këtë drejtim do të stimulojmë dhe
udhëzojmë bujqët për aplikim sa më të lehtë për subvencione,
shfrytëzimin e mjeteve të pakthyeshme të IPARD programeve.
Turizmi aktiv e tradicional në trevat tona është pjesë e kulturës
qytetare. Duke patur parasysh se në komunën e Likovës ekzistojnë shumë
resurse natyrore për zhvillim të turizmit, ku më veç në afërsi të dy
pendave kan filluar investimet, ne do të vazhdojmë me investime në ato
pjesë për një infrastrukturë sa më moderne, me qëllim të investimeve të
reja.
Biznesi, mirëqenia sociale dhe përkujdesja ndaj tyre garanton dinjitet
të qytetarëve, e ne do të mundësojmë lehtësim të procedurave rreth
pajisjes me leje për ndërtim dhe dokumentacioneve tjera të nevojshme
dhe lirim të të gjitha taksave komunale. Kategorizim të shtresës
qytetarëve me kushte më të rënda në nivel komunal nga një komision i
posaçëm, ku atyre familjeve do t’i jipet përparësi gjatë punësimeve në
çdo organ komunal nëse i plotësojnë kushtet ligjore, etj.
Të nderuar qytetar,
Më 17 Tetor votoni për Agjendën e blertë, për vazhdimësinë e punëve të
mira dhe perspektivën e re të zhvillimit. Kemi plan shumë ambicioz dhe
të përgjegjshëm për katër vitet e ardhshme.
Rrethoni numrin 3!
Ju faleminderit.