Nuk e di se kush mund të na tregojë fundin e drejtimit për nga Beogradi të Qeverisë së Kosovës. Natyrisht që ekzistojnë në Kosovë ata njerëz që mund të na e tregojnë qëllimin e fundit të kësaj Qeverie. Por ata nuk i përkasin listës serbe. As ata nuk e dinë saktë. Grupi që e di këtë skaj të animit për nga Beogradi janë njerëzit që e mbajnë gjallë këtë Qeveri, sigurisht ata që mendojnë se ka filozofi rugoviane tek Isa Mustafa dhe ata që mendojnë se ka një dell çlirimtari te Hashim Thaçi. Nuk po mundohemi të bindim këta dy krerë të Qeverisë për dëmet që i sjellin Kosovës dhe shqiptarisë. Ata e dinë mirë çka bëjnë. Kudo ku shkojnë e gjithë çka bëjnë, e bëjnë me mendje të kthjellët.
Isa Mustafa nuk e duron dot ndërhyrjen e Qeverisë së Shqipërisë në Kosovë. E ka deklaruar vetë. Ai nuk ka kompleks inferioriteti ndaj shqiptarëve. Kompleksin e inferioritetit e ka ndaj qeverisë së Beogradit. Hashim Thaçi i është ankuar amerikanëve se Qeveria shqiptare fort po ndërhyn në punë të Kosovës. Natyrisht që nuk i shkonte mendja t’i ankohej për strukturat paralele serbe. Detyrë e tij është të mos hyjë Shqipëria në Kosovë. Detyrë e tij është të hyjë Beogradi në Kosovë. Të dy e dinë mirë punën e tyre. Të dy e kryejnë mirë punën e tyre. Sot duhet të themi “Bac u kry! Vdekja jote e vërtetë u kry!”
Por këtë fjali tragjike nuk e themi sepse janë dy njerëz negativë, servilë të Serbisë, që po e drejtojnë Kosovën. Këtë gjë e themi sepse përgatitet Kuvendi i Kosovës t’i japë presidencën dhe jetëgjatësinë servilëve. Dhe jetëgjatësia e tyre do të thotë forcimi i kufijve mes shqiptarëve. Deri në prefiks. Servilët nuk kanë frikë për sa që frikë kanë mbështetësit e tyre. Mbështetësit e tyre janë kudo, por më së pari në Kuvend, në polici, në Akademi, në media. Janë vendet ku bartësi i ligjshëm shkel Kushtetutën, ku bartësi i ligjit shkel ligjin, ku bartësi i dijshëm nuk ka dije, ku bartësi i lirisë së shprehjes vetëm censuron. Këta vende e mbajnë gjallë vdekjen me frikën e tyre. Deri në prefiks e mbajnë gjallë vdekjen.
Natyrisht që Serbia nuk do përgjojë falë prefiksit vetëm servilët. Pikërisht ata nuk ka pse t’i përgjojë pasi i takon nëpër ndeja e nëpër sallone ku pakkush prej shqiptari dëgjon se ç’thuhet. Nëpër sallone nuk shkon më Isa Boletini, as Fan Noli, as Faik Konica. Ata ia vlente për t’i përgjuar. Këta jo. Përfaqësimi i politikës shqiptare është aq rëndë sa sinqeriteti e ka kahjen nga Beogradi. Përkundrazi, duhet të kenë frikë mbështetësit e servilëve që do u shkojë jeta duke u përgjuar frika e tyre. Beogradi falë prefiksit do e marrë vesh mirë se në krye të shteteve shqiptare janë zgjedhur tradhtarë e frikacakë.
Tradhtarë e frikacakë deri në prefiks. E Beogradi do të qeshë e do të qeshë me tradhtinë tonë, me frikën tonë. Dhe mua nuk po më shqetëson shumë imazhi ynë në Beograd. Atë imazh e ka përgatitur për pothuaj dy shekuj akademia serbe. Mua po më shqetëson pse nuk jam i pasur, pse nuk kam miliona. Jo për të blerë vota për t’u bërë pushtetar, polic, dhunues, servil, frikac. Jo! Më duhen miliona për t’ua blerë këtyre njerëzve ndershmërinë. T’ua blej, t’ua kyç në kasafortë gjatë natës kur i pushton zhgjëndrra e peshës së rëndë për të qenë vetvetja. T’ua blej unë nderin që ata të mos ia shesin prurësit më të parë. Dhe sidomos armikut që i ka shfarosur. Sepse ende gjej njerëz që nuk e shohin të keqen. Por nuk e shohin sajë syve të tyre të frikuar. Njeriu nga frika ka mundësi të mos e shohë as bishën përballë. Ky soj shqiptari na detyron të shprehemi si dikur Konica. Konica do ngjallet e do pyesë: a nuk paska ndryshuar vallë diçka në brengën e shqiptarit me i bë keq vetes! Le t’i themi të vërtetën. Jo! Deri në prefiks do bëj prova tradhtari për me pa durimin e mbështetësve të vet. Isa dhe Hasha nuk mund t’i bashkonin me prefiks shqiptarët, sepse prefiksi e kalon doganën e policinë në kufi. Shqiptarët do lidheshin e do ndjenin veten më të rritur. Isa e Hasha duan të forcojnë policinë mes shqiptarëve e të dobësojnë Kosovën e shqiptarëve. Sepse ata e duan Beogradin, e kanë zili Beogradin se u duket shtet. Mbështetësve të tyre këta dy sojsëz u duken të zgjuar sepse paskan aq aftësi sa të dalin nëpër foto me Daçiçin.
E pra, do të doja të kisha miliona për me ia u ble trimërinë mbështetësve të tyre, për me ia u kyç në një vend të sigurt. T’ia u blejë trimërinë kuvendarëve që janë kundër kuvendit, Kushtetutës dhe UCK-së, policëve që mbrojnë qeverinë, mediave që psallin gjëmat e tyre, akademikëve që janë të lumtur me arritjen e tyre të fundit: diskutim teorik mbi lirinë me Kadri Veselin. Dikush më korrigjon e më thotë se duhet t’u blejë frikën. Por unë nuk blej kurrë shtrenjtë një mall që është me shumicë, as nuk e ruaj mbyllur një gjë që e gjen sheshit. Milionat duhen për me ia u ble trimërinë, sepse e kanë aq të paktë sa do ta kuptojnë se sa shtrenjtë mund të jepet. Dua t’ia u blej atë liri deri në prefiks, deri në rrëzë të fisit të tyre.
E meqë nuk i kam vetë ato pare, po ju ftoj të gjithëve, nëse mundeni të mbledhim ca para e t’i shpëtojmë nga sëmundja e rëndë e frikës që po ua tret trimërinë e pakët. Lutem t’i ndihmoni sadopak që t’ua shpëtojmë atë prefiks lirie që iu mbetet.
*Autori është profesor i Filozofisë