Gjatë ditës së shtunë dhe të dielë policia ka gjobitur 936 shoferë pasi kanë vozitur me shpejtësi më të madhe se ajo që e lejojnë rregullat e komunikacionit. Po ashtu janë sanksionuar dhe gjobitur edhe dhjetëra vozitësit që kanë thyer rregullat e trafikut.
Ministria e Punëve të Brendshme informoi se gjatë ditës së djeshme, 18 korrik 2021 ka zhvilluar kontroll të intensifikuar të veprimit në territorin e të gjithë shtetit për të sanksionuar automjetet që lëviznin me shpejtësi më të lartë se sa ishte e lejuar, ndërsa janë gjobitur 435 drejtues makinash.
MPB
“Nga këto, 35 automjete udhëtonin me shpejtësi mbi 50 km/orë më shumë se shpejtësia e lejuar, dhe katër automjete lëviznin me shpejtësi mbi 70 km/orë më shumë se shpejtësia e lejuar”.
Në territorin e Shkupit gjatë 24 orëve të fundit janë shqiptuar 153 gjoba, prej të cilave: 57 për tejkalim të shpejtësisë, 23 për ngasje të makinës nën ndikim të alkoolit, 18 për ngasje të makinës pa patentë shoferi, 9 gjoba u janë shqiptuar vozitësve të motoiçikletave. Nga MPB-ja gjithashtu njoftojnë se janë shqiptuar edhe 6 gjoba për kalim në të kuqe në semaforë dhe 17 për parkim të parregullt.
Ndërkaq, të shtunën 501 shoferë janë gjobitur pasi kanë lëvizur në trafik me shpejtësi më të madhe se ajo që është e lejuar me rregullat e komunikacionit. 67 nga 501 shoferët e gjobitur kanë lëvizur me 50 kilometra në orë më tepër sesa ka qenë e lejuar, ndërsa 9 shoferë kanë pas vozitur 70 kilometra në orë mbi shpejtësinë e lejuar.
Ministria e punëve të brendshme theksoi se kontrollet e intensifikuara do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim. Policia i bën apel të gjithë pjesëmarrësve në trafik që të respektojnë rregullat e trafikut. /SHENJA/