Kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq sot mori pjesë në samitin virtual të Procesit të Berlinit, në të cilin liderët e vendeve–anëtare biseduan për progresin dhe sfidat aktuale të bashkëpunimit rajonal në Evropën Juglindore.
Në takimin, i cili u mbajt nën presidencën e Gjermanisë, presidentët dhe qeveritë e Procesit të Berlinit biseduan për gjithçka që është arritur në ekzistimin shtatëvjeçar të kësaj iniciative diplomatike, qëllimi i së cilës është që të afrohet Ballkani Perëndimor drejtë integrimeve evropiane.
Plenkoviqi theksoi se Kroacia e mbështet vazhdimin e politikës së zgjerimit, të bazuar ndaj meritave individuale të secilit vend, që ishte konfirmuar edhe në samitin në Zagreb gjatë presidencës kroate me Këshillin e BE-së në maj të vitit 2020.
Ai e theksoi nevojën për arritje të shpejtë të konsensusit për kornizat negociuese për Shqipërinë dhe Republikën e Maqedonisë së Veriut, që të mund menjëherë të hapen bisedimet për anëtarësim, thuhet në kumtesën e qeverisë të cilën e publikoi Hina.
Kryeministri kroat veçanërisht e ka theksuar nevojën për vazhdimin e rrugës evropiane të Bosnjës e Hercegovinës dhe zbatimin e reformave kyçe, veçanërisht arritjen e marrëveshjes për ndryshime në Kodin Zgjedhor, me respektimin e plotë të parimit të përfaqësimit legjitim të të gjithë tre popujve konstituiv.
Kroacia e përshëndet hyrjen në fuqi të Marrëveshjes për heqjen e roamingut në Ballkanin Perëndimor nga 1 korriku i vitit 2021 si arritje e rëndësishme e cila do ta përmirësojë lidhjen digjitale të rajonit. Është me rëndësi që të sigurohet qarkullim i mallrave, njerëzve, kapitalit dhe shërbimeve ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor, ndërsa Kroacia i përshëndet iniciativat konkrete në atë drejtim, thuhet në kumtesë.