Nëse kërkon një të përbashkët në tre shtyllat e aktivitetit të Fondacionit “ALSAR”, përkujdesin për fëmijët, sidomos për jetimët, e gjen si në aspektin humanitar, arsimor dhe kulturor.
Kujdesi për ta i përket së shkuarës, së sotmes dhe së nesërmes së fondacionit. Në formim e sipër, të brishtë, ca prej tyre dhe pa ngrohtësinë e një familjeje të plotë, nevojën për ndihmë, për kujdes, për këshillë, e kanë të qenësishme, të domosdoshme. Filiza të së ardhmes, ata duhen ushqyer me edukatën e duhur, për të mos u kthyer nesër nga shpresa në barrën e shoqërisë.

Vera është stina kur institucionet arsimore mbyllin dyert përkohësisht, koha e lirë për fëmijët bëhet shumë e madhe, e duhet administruar. Për të mos humbur çfarë është mësuar në një pjesë të mirë të vitit, por për t’i shtuar diçka dijes, edukimit.
Bashkë me kurset verore, Fondacioni “ALSAR” ka filluar dhe shkollën verore ditë më parë. Ashtu si me kurset, dhe projekti i shkollave verore është i kahershëm, realizuar në vite, dhe i ndërprerë në 2020-n nga mbyllja thuajse globale prej pandemisë.
Ndryshe nga kurset, shkolla verore është hapur dhe funksionon vetëm në kryeqytet. Ndjekur posaçërisht nga fëmijë jetimë, në një muaj aktivitet, aq sa do të jetë në veprim, do t’u japë mundësi atyre të mësojnë gjëra të reja apo të ngulisin në mendje gjëra të ditura mbi edukatën, etikën, moralin, besimin.

Në mënyrë të përditshme, 50 djem e vajza dëgjojnë mësimet e dy mësimdhënësve turq, të mësuesit për djemtë dhe të mësueses për vajzat, ardhur nga Turqia për shkollën verore. Mësimet u përcillen nëpërmjet përkthyesve.
Një vakt ushqim u jepet çdo ditë ndjekësve të shkollës verore. Mësimdhënia ndërthuret me argëtimin, me veprimtari dëfryese, që shkolla verore të jetë sa më tërheqëse për ta dhe fëmijët të ndiejnë gëzim në kohën e kaluar në të.
Si shpesh me projektet tona, dhe projekti i shkollës verore ka mbështetjen e një organizate të huaj partnere. Bashkëpunëtor i yni, HAYRAT, me qendër në Turqi, po ndihmon në realizimin e këtij projekti dobiprurës për fëmijët jetimë.
