Me një ceremoni solemne dhe koktej përmbyllës, ProCredit Banka e përmbylli gjeneratën e parë të Akademisë së Biznesit ProCredit – një program edukativ i krijuar për të përmirësuar njohuritë dhe kapacitetet e kompanive lokale. Në ngjarje, 90 pjesëmarrësit morën certifikata për përfundim të suksesshëm të trajnimit dhe përkushtim në procesin e mësimit dhe zhvillimit personal.
Akademia është pjesë e angazhimit më të gjerë të ProCredit Bankës për forcimin e komunitetit të biznesit vendor përmes mbështetjes jofinanciare dhe krijimit të mundësive për arsimim të vazhdueshëm dhe rrjetëzim profesional. Përmes kësaj nisme, sipërmarrësit fituan qasje në njohuri praktike, këshilla ekspertësh dhe punëtori interaktive, të cilat jundihmojnë të përmirësojnë aftësitë e tyre të biznesit dhe të zhvillojnë modele më të qëndrueshme afariste.
Programi përbëhej nga pesë module që mbulonin temat më të rëndësishme për rritjen e bizneseve të vogla moderne – menaxhimin financiar, aftësitë e komunikimit dhe shitjes, transformimin digjital dhe zhvillimin e mënyrës sipërmarrëse të të menduarit. Akademia u realizua në bashkëpunim me Alphabet Group, kompani konsulente me përvojë shumëvjeçare në zhvillimin organizativ dhe edukimin e sipërmarrësve në rajon.
“Me krenari mund të themi se Akademia e Biznesit ProCredit tregoi se sa shumë mund të kontribuojnë njohuritë dhe përvoja e ndarë për një sektor privat më të fortë dhe më të qëndrueshëm. Të jesh partner i vërtetë i bizneseve për ne do të thotë të ofrojmë më shumë se shërbime tradicionale bankare – do të thotë të kontribuojmë në mënyrë aktive në rritjen dhe suksesin e tyre. Ky program është edhe një dëshmi e përkushtimit tonë për të mbështetur sipërmarrësit jo vetëm financiarisht, por edhe përmes zhvillimit të kapaciteteve të tyre dhe rrjetit të kontakteve,” – deklaroi Millan Damçevski, anëtar i Bordit Drejtues të ProCredit Bankës.
Me përfundimin e suksesshëm të gjeneratës së parë, ProCredit njofton se Akademia e Biznesit do të vazhdojë edhe në vitin 2026, ndërsa regjistrimet për gjeneratën e re të pjesëmarrësve do të fillojnë së shpejti.
Më shumë informacione do të jenë të disponueshme në faqen zyrtare të internetit dhe rrjetet sociale të bankës.







