Ljupço Stojanovski, gjyshi i Tamarës së vogël nga Velesi, e cila ka ndërruar jetë në vitin 2015, duke pritur për operacion jashtë vendit, është shpallur fajtor dhe është dënuar me burg prej 7 vjet e gjysmë për tentim vrasje të ish-ministrit të Shëndetësisë, Nikolla Todorov. Gjykatësja, Sofija Laliçiq, tha se është vërtetuar qëllimi se, Stojanovski duke qëlluar ka dashur ta vrasë Todorovin.
“Kur sistemi vret një fëmijë, populli proteston. Kur sistemi vret një fëmijë, atëherë përgjegjësia për këtë është e pashmangshme. Duhet gjetur personat përgjegjës dhe ata të përgjigjen para institucioneve kompetente ashtu siç e parasheh ligji. Ky Këshill Gjyqësor, e ndan dhimbjen për humbjen e të akuzuarit dhe familjes së tij, por a është kërkimi i drejtësisë përmes hakmarrjes sipas parimit “sy për sy”, drejtësia që dëshirojmë të sundojë në shtetin tonë? Kërkimi i drejtësisë përmes hakmarrjes është vetëm një padrejtësi tjetër. Prandaj, hakmarrja nuk është as mënyra, e as zgjidhja”, tha gjykatësja, Sofija Laliçiq.
Pala mbrojtëse është e pakënaqur nga lartësia e dënimit. Avokatja e Stojanovskit, konsideron se nuk është dëshmuar se i akuzuari ka pasur paramendim ta vrasë ministrin.
“Nuk kemi pritur aktgjykim të tillë, për shkak se nuk ekzistojnë prova të forta se i akuzuari Ljupço ka dashur ta vrasë Todorovin. Fare nuk po dëshmohet paramendimi i tij. Vetë fakti se ai ka qenë i pranishëm para Ministrisë së Shëndetësisë dhe ka mbajtur në dorë një armë, prej së cilës pa dyshim është qëlluar, por nuk është dëshmuar si, nuk e bën atë se është vrasës. Prandaj, nuk jemi të kënaqur me aktgjykimin e sjellë”, tha avokajta e Stojanovskit, Pavlina Zefiq.
Stojanovski ka shtënë drejt Todorovit, pak kohë para se t’ia dorëzojë funksionin ministrit pasardhës, Arben Taravari më 1 qershor të vitit të kaluar. Prokuroria kërkoi që të vazhdohet paraburgimi, me arsyetimin se ekziston rrezik që i akuzuari ta kryejë veprën dhe të ikë. Gjykata vendosi që ta pranojë kërkesën dhe ta vazhdojë paraburgimin për Stojanovskin deri në momentin kur aktgjykimi të bëhet i plotfuqishëm.
PËRGATITI: MIHAJLLO VIDIMLLISKI