Gazetare: Melihate Rustemi
Të jesh mësues nuk është vetëm një profesion, por edhe një mision i vështirë dhe i rëndësishëm për edukimin e brezave, shkruan Alsat.
Kështu shprehet thuajse çdo mësimdhënës e posaçërisht ata të cilët për këtë mision të shenjtë qëndrojnë të ndarë nga familja.
“Mësuesi Mirvet Ajrullahu nuk është i vetmi që lë familjen e tij në Shkup për të qenë pjesë e kuadrit të shkollës fillore “Liria” të fshatit Jabollçishtë të komunës Çashkë të Velesit. Bashkë me të, në këtë shkollë ligjërojnë edhe 9 mësimdhënës të tjerë nga qytete të ndryshme, siç janë Kumanova, Tetova, Shkupi dhe Kërçova”, raporton gazetarja e Alsat, Melihate Rustemi.
Me rastin e 7 Marsit, mësuesi Ajrullahu tha se sot është zbehur vlera e mësuesisë dhe e njëjta është materializuar dhe shndërruar në biznes.
“Kur mbërrihet suksesi në arsim si profesion i shenjtë harrohen të gjitha sakrificat. Nuk bëhet me arsimin biznes, nuk është arsimi biznes edhe nuk materializohet dituria. Te populli jonë mendoj se është prezentë ajo, ta materializojmë diturinë. Vërejmë lazdrimin edhe atë devijimin e fëmijëve për shkaqe objektive që i dimë të gjithë, ndoshta ndikojnë edhe këto rrjetet sociale, mjetet e komunikimit. Ju duket po edhe ndoshta për gjenerata e reja është banale me shkumës dhe dërrasë të punohet”, tha Mirvet Ajrullahu, mësues.
Sipas Ajrullahut, 135 vjet pas hapjes së mësonjëtores së parë shqipe shumë vendbanime në Maqedoni kanë mungesë të arsimit shqip duke detyruar nxënësit që shkollimin fillor ta kryejnë në gjuhën maqedonase.
“Arsimi te ne filloi me hapjen e shkollës së parë shqipe në Korçë, ky mision vazhdon, nuk ka përfunduar ende, për mendimin tim, ne nuk I kemi hap shkollat gjithandej ku ka nevojë dhe ku kemi popullin”, u shpreh Ajrullahu.
Për nder të kësaj dite nxënësit uruan më të mirat për mësuesit e tyre.
“Ju uroj të gjithë mësimdhënësve ditën e 7 Marsit dhe jam shumë e lumtur që I kam këto mësimdhënës”, tha një nxënëse.
“E vlerësojmë shumë mundin dhe sakrificën e arsimtarëve që na mësojnë ne. Prej këtu dalin gjenerata shumë të mira dhe të suksesshme”, u shpreh një tjetër nxënës.
Në shkollën fillore “Liria” të fshatit Jabollçishtë mësojnë mbi 800 nxënës. Numri i tyre është vazhdimisht në rritje pavarësisht se bëhet fjalë vend malor me mbi 1.200 metra lartësi mbidetare. Për ta bërë këtë ditë edhe më të veçantë nxënësit kënduan këngë e lexuan poezi për Ditën e mësuesit./ Alsat.mk