Qeveria e udhëhequr nga VMRO-DPMNE ka ndërmarrë një sërë masash në fushën e sigurisë kibernetike, të cilat, sipas partisë në pushtet, kanë kontribuar në përmirësimin e ndjeshëm të pozitës së Maqedonisë së Veriut në Indeksin Kombëtar të Sigurisë Kibernetike.
Sipas VMRO-DPMNE-së, vendi është ngjitur nga pozita e 59-të në atë të 30-të në ranglistën botërore, me 84,17 pikë.
Nga partia në pushtet thonë se ky përparim është rezultat i reformave dhe masave të ndërmarra për forcimin e mbrojtjes së sistemeve dhe infrastrukturës digjitale të shtetit.
Ndër masat e përmendura janë miratimi i Ligjit të ri për sigurinë e rrjeteve dhe sistemeve informative, si dhe Strategjisë për siguri kibernetike 2025–2028, së bashku me Planin e Veprimit.
Gjithashtu, sipas VMRO-DPMNE-së, janë forcuar mekanizmat për koordinimin dhe reagimin ndaj incidenteve kibernetike, me synim rritjen e qëndrueshmërisë së sistemeve shtetërore dhe mbrojtjen më të mirë të të dhënave.
“Me këto masa krijohet një infrastrukturë digjitale më e sigurt, mbrojtje më e mirë e të dhënave të qytetarëve dhe rezistencë më e madhe e sistemeve shtetërore”, thuhet në komunikatën e partisë.
Nga VMRO-DPMNE vlerësojnë se përmirësimi i pozitës në indeks paraqet një rezultat konkret të reformave të zbatuara dhe një hap drejt ndërtimit të një shteti digjital më modern, më të qëndrueshëm dhe më të sigurt.
“Rezultati është dëshmi e përparimit në sigurinë kibernetike dhe e përpjekjeve për krijimin e një shteti digjital më të qëndrueshëm, në interes të të gjithë qytetarëve”, theksojnë nga partia.
The post VMRO-DPMNE: Maqedonia ngjitet në vendin e 30-të në Indeksin e Sigurisë Kibernetike appeared first on TV-SHENJA.


