Fakulteti Juridik i Universitetit të Tetovës, më 24 janar 2019, në bashkëpunim me Institutin për Studime Politike dhe Ndërkombëtare si dhe Qendrën për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut organizuan tryezë të rrumbullakët, në të cilën diskutuan për aspektet euro-integruese të Ballkanit Perëndimor.

Dekani i Fakultetit Juridik, Prof. Dr. Qebir Avziu, tha se integrimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian e sidomos i Maqedonisë do të ishte një lehtësim i madh për qytetarët, sepse ata do të mund të lëviznin lirshëm në të gjitha vendet e Evropës. Ai tha se Republika e Maqedonisë, viteve të fundit po bën përpjekje të vazhdueshme me qëllim që t’i plotësojë të gjitha kushtet dhe kriteret e kërkuara nga Bashkimi Evropian që sa më shpejt të bëhet pjesë e tij. Sipas tij, me anëtarësimin e Maqedonisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor do të hapej një perspektivë e re për rajonin. Po ashtu ai vlerësoi se Republika e Maqedonisë, me ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës nga parlamenti është shumë afër anëtarësimit në strukturat euro – atlantike dhe BE, duke shpresuar se edhe parlamenti grek ditëve në vijim do ta ratifikojë këtë marrëveshje për ndryshimin e emrit kushtetues të Maqedonisë, që me dekada ka qenë pengesë për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe BE.

