Zëvendësministri i Drejtësisë Oliver Ristovski, i pyetur se a ka për qëllim që ta zë vendin e të parit të Ministrisë së Drejtësië, me qenë se ky vend ende mbetet i zbrazët, që kur ministri Bilen Saliji dha dorëheqje, u përgjigj se kjo nuk varet prej tij, por vendimin për këtë çështje do e merr Qeveria e Maqedonisë. Ndërsa, për atë se kur do të emërohet ministri i ri i këtij dikasteri, Ristovski tha se kjo varet nga zhvillimi i bisedimeve për zgjerimin e shumicës parlamentare.
OLIVER RISTOVSKI, ZV/MINISTËR I DREJTËSISË
“Nuk e di, ajo nuk varet nga unë personalisht, nuk di çfarë të ju them. Ajo varet nga bisedimet që po zhvillohen për zgjerimin e shumicës parlamentare. Ashtu siç tha kryeministri, nëse nuk gabohem tha, për një kohë sa më të shkurtë të mundëshme, do të përfundojnë ato bisedime dhe atëherë do të dihet gjithçka”.
Ndërkaq, gjithashtu i pyetur se kjo ministri nuk do t’i takoj më Bashkimit Demokratik për Integrim, por asaj të LSDM-së, Ristovski tha se të gjitha janë spekulime dhe se duhet të pritet momenti i duhur për të bërë të ditur vendime të këtilla.
Përndryshe, para rreth 10 ditëve ministri i Drejtësisë, Bilen Saliji dha dorëheqjen, duke marrë si arsyetim rikualifikimin e veprës penale në rastin e Almirit të vogël nga ana e Prokurorisë. Ai pati deklaruar se besimi në Gjyqësor kishte filluar që të zbehet në rastet “Sopoti” dhe “Monstra”, por me rikualifikimin e lëndës së Almirit mungesa e besimit ka arritur kulmin. Kurse, në opinion qarkulluan mjaft zëra se dorëheqja e Saliut, hap rrugën e rikonstruimit të qeverisë.
https://www.youtube.com/watch?v=r0ac8ayTciM

