Kreu i SPAK, Altin Dumani, ka zbuluar detaje nga operacioni i përbashkët mes autoriteteve shqiptare dhe italiane, ku janë lëshuar 52 urdhër-arreste në të dyja vendet.
Në një konferencë për mediat, Dumani theksoi se është goditur një nga grupet më të fuqishme kriminale në territorin shqiptar, i cili dyshohet se ishte i përfshirë në trafik ndërkombëtar droge dhe aktivitete të pastrimit të parave.
Sipas tij, hetimet e përbashkëta me autoritetet italiane kanë identifikuar një rrjet të mirëorganizuar, që vepronte në të dy shtetet dhe kishte lidhje të forta me qarqe të krimit të organizuar.
Altin Dumani: Është arritur ti jepet një goditje e fuqishme një prej grupeve kriminale më të fuqishme në Shqipëri për të cilën ka dyshime të forta se ishte i përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogave të forta dhe në pastrimin e parave.
Ky operacion i mbështetur nga hetimet e thelluara dhe shkëmbim efektiv informacioni ndërinstitucional është dëshmi e asaj që mund të arrihet kur institucionet e drejtësisë dhe strukturat e zbatimit të ligjit bashkëpunojnë, profesionalizëm dhe besim.
Shpreh mirënjohjen për prokurorët e SPAK, hetuesit e BKH, policinë e shtetit dhe partnerët italianë që sot ndodhen mes nesh dhe kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm. Falenderim për Eurojust dhe Europol për mbështetjen e dhënë gjatë hetimeve të kryera.