Vajzat dhe gratë po vazhdojnë të jenë viktimat më të shpeshta të dhunës që përjetojnë kryesisht nga partnerët e tyre. Kjo dukuri shqetësuese ka marrë përmasa të mëdha kohëve të fundit dhe kjo dëshmohet çdo ditë me numrin e rasteve të tilla që denoncohen në Polici.
Një rast i tillë ka ndodhur dje në Rahovec, ku një 51-vjeçar po dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj gruas me të cilën bashkëjeton.
Burimet kanë bërë me dije se viktima e ka raportuar rastin në Polici, ku ka rrëfyer për atë që ndodhi mes tyre dhe si rasti eskaloi nga një konflikt verbal në fizik.
Viktima ka pësuar lëndime trupore, për çka ka marrë trajtim mjekësor në spital, teksa Policia është aktivizuar për kapjen e të dyshuarit.
Si rezultat i denoncimit, i njëjti është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit dhe masën e ndalimit policor për 48 orë.



