Drejtori i Muzeut Kombëtar të Sofjes, Bozhidar Dimitrov ka nisur fushatë që të gjithë maqedonasit të shpallen bullgarë, pasi, siç thotë ai, të tillë edhe janë, shkruan “Zhurnal”.
Aktualisht ai po punon për ndryshimin e ligjit, me çka maqedonasit me prejardhje bullgare vetëm me deklaratë gojore në gjuhën bullgare do të kenë të drejtë të marrin shtetësinë bullgare. Një dëshmi me shkrim nuk do të ishte aspak i nevojshëm.
“13 shekuj me radhë deri në vitin 1944 në Maqedoni kanë jetuar bullgarë. Një ditë dikush u ka thënë se ata janë maqedonas dhe jo bullgarë. Se nuk kanë asnjë lidhje me Bullgarinë, se do t’iu formohet një shtet dhe do t’iu shkruhet histori e re dhe kjo ka ndodhur. Dhe pastaj në kohët e tanishme menjëherë kanë dalë probleme më identitetin. Kështu që rreth 500 mijë maqedonas do të mund të bëheshin bullgarë, e njëkohësisht edhe shtetas të BEsë”, ka deklaruar Dimitrov.