Sot, më 4 Korrik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës festojnë Ditën e Pavarësisë – një nga datat më të rëndësishme në historinë e tyre kombëtare, që shënon 249-vjetorin e shpalljes së pavarësisë nga Mbretëria e Bashkuar.
Me shpalljen e Deklaratës së Pavarësisë më 4 korrik 1776, 13 kolonitë amerikane u shkëputën zyrtarisht nga sundimi britanik, duke hedhur themelet e një shteti të ri, të bashkuar dhe sovran.
Një moment tjetër kyç në historinë e shtetit amerikan ishte miratimi i Kushtetutës në vitin 1787, e cila vendosi strukturën e qeverisjes dhe ndarjen e pushteteve në tri degë kryesore: ekzekutive, legjislative dhe gjyqësore. Kjo ndarje, me Presidentin, Kongresin dhe Gjykatën e Lartë në krye, mbetet themeli i funksionimit demokratik të SHBA-së.
Dita e Pavarësisë festohet me parakalime madhështore, aktivitete familjare dhe spektakle të mëdha fishekzjarresh në çdo cep të Amerikës – një manifestim i krenarisë kombëtare dhe i trashëgimisë së lirisë që ka frymëzuar botën për gati dy shekuj e gjysmë.