30 ditë paraburgim për gjyshin e Tamara Dimovskës, Lupço Stojanovski i cili tentoi ta vrasë ish Ministrin e shëndetësisë Nikolla Todorov. Teksa zhvillohej dëgjimi i tij në Gjykatën Penale të Shkupit, tre herë radhazi nevojitej intervenimi i ekipit të ndihmës së shpejtë pasi të akuzuarit i ishte përkeqësuar gjendja shëndetësore dhe nuk kishte mundur të flasë. Në këto kushte ai ishte mbrojtur në heshtje.
“Personi ka probleme shëndetësore, gjendja e tij është përkeqësuar edhe më shumë pas vdekjes së mbesës së tij Tamarës. Kërkuam që gjykata ta merr parasysh edhe këtë fakt para se të vendos për paraburgimin. Duhet marrë parasysh edhe fakti se nuk ka qenë i dënuar, është një person familjar, baba i tre fëmijëve. Do të ankimojmë vendimin për paraburgim”, tha avokatja Pavlina Zefiq.
Sipas avokates Zefiq, paraburgimi do ta përkeqësojë edhe më shumë gjendjen e të akuzuarit 57 vjeçar, prandaj tha se në rast paraburgimi, do të ankimojnë vendimin dhe do të kërkojnë masa të tjera alternative.
“Gjendja psikike e të akuzuarit nuk është e mirë dhe mendoj se me shqiptimin e masës paraburgim do të përkeqësohet edhe më shumë. Nëse ekzistojnë mundësi për masa më të buta, do t’i kërkojmë gjykatës që t’i shqiptohet burgimi shtëpiak”, theksoi Zefiq.
Avokatja mbrojtëse u ankua se klienti i saj është i dhunuar nga policia edhe pse nuk ka kundërshtuar arrestimin dhe për këtë do të ngrenë procedura penale kundër policëve përgjegjës.
Todorov u sulmua nga Lupço S në momentin kur erdhi në Ministrinë e Shëndetësisë për dorëzimin e postit të ministrit. Sipas versionit të babait të ish ministrit të shëndetësisë që e publikoi policia, sulmuesi dy herë para sulmit kishte shkuar në shtëpinë e Todorovit dhe kishte kërkuar takim me të.
Kodi Penal parashikon pesë vjet burg për tentim vrasje.
Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/
30 ditë paraburgim për atentatorin e Todorovit by tvshenjaofficial