Nga Ministria e Punëve të Brendshme njoftojnë se gjatë ditës së djeshme, pranë nyjës së Negotinës, kanë privuar nga liria një 24-vjeçar nga fshati Studeniçan i Shkupit.
“Më parë, pasi kishin marrë informacione se ai po transportonte emigrantë në rrugën Gjevgjeli-Demir Kapi, policët nga Stacioni për Mbikëqyrje Kufitare – Mihajllovo i kishin dhënë sinjal për ndalim, por ai nuk ishte ndalur. Pas masave të ndërmarra, automjeti është ndalur me forcë. Më pas, gjatë kontrollit në terren, janë gjetur 10 emigrantë nga Egjipti, njoftuan mëngjesin e sotëm nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Sipas Policisë, emigrantët janë vendosur në Qendrën Pranuese-Transit “Vinojug” në Gjevgjeli për procedura të mëtejshme. Ndërkohë, ndaj shoferit është ngritur kallëzim penal për “kontrabandim të emigrantëve”, ndërsa gjykatësi i procedurës paraprake i ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh, bëjnë të ditur nga MPB.


