Anila Pajaziti/INA
Për ta shkuar në fshatin fqinj, duhen më pak se 5 minuta në këmbë. Vetëm tre kilometra ndajnë Llojanin në Maqedoninë e Veriut nga Miratoci në Luginën e Preshevës.
Por për banorët e këtyre dy fshatrave – që ndajnë gjuhën, gjakun dhe dhimbjen – rruga është bërë më e gjatë se kurrë: u duhet të kalojnë dhjetëra kilometra përmes vendkalimit zyrtar në Tabanoc, duke harxhuar kohë, para dhe nerva për të përshkuar një afërsi që për dekada ka qenë natyrale, përcjell INA.
“Për të parë motrën time, duhet të bëj rreth 40 kilometra rrugë. Me makinë, me dokumente, me orar… kurse ajo është vetëm përtej malit,” thotë Sabriu, një banor i moshuar nga Llojani, që për më shumë se 20 vjet nuk e ka kaluar kufirin nga rruga e fshatit të tij.
Kjo histori përsëritet me qindra herë. Familjet e ndara, fermerët që kanë tokat përtej vijës ndarëse, të moshuarit që i kanë varret e të dashurve përtej vijës, të gjithë janë të detyruar të marrin rrugë të stërzgjatura për një afërsi që në realitet nuk është më shumë se një shtrëngim duarsh larg.
Pika kufitare që ekziston… vetëm në letra
Premtime ka pasur sa herë ka pasur zgjedhje. Në vitin 2019, dy shtetet nënshkruan një marrëveshje për hapjen e pikës kufitare Llojan–Miratoc. Madje, në vitin 2022 u bë edhe një ceremoni simbolike për hapjen e saj. Por simbolika nuk mjafton.
Sot, asgjë nuk ka ndryshuar. Rruga për në pikën e ndërlidhjes është e paasfaltuar, infrastruktura mungon, ndërsa Qeveritë përgjegjëse në Shkup dhe Beograd nuk e bënë hapin e duhur për ti dhënë fund dhe zgjidhje kësaj kërkese.
“Na kanë lodhur me premtime. Duam vetëm të kthehet ajo që ka qenë më parë – të kemi mundësinë të kalojmë si njerëz normalë”, thotë një grua nga Miratoci, duke treguar me dorë malin që e ndan nga Llojani.
Përtej ndarjes fizike, ky kufi i mbyllur ka ndarë edhe lidhjet njerëzore. Shumë familje janë copëtuar, komunikimi është bërë më i rrallë, dhe mungesa e qasjes ka ndikuar edhe në zhvillimin ekonomik të zonës.
Kjo ka ndikuar që fshatrat si zorrë qorre të zbrazen, shkollat të boshatisen.
Deklaratat premtuese të zyrtarëve
Ardita Sinani, kryetarja e Komunës së Preshevës së fundi gjatë takimeve me zyrtarë shqiptarë nga Maqedonia e Veriut ka përmendur këtë problem që nuk po gjen zgjidhje, por pa pasur veprime konkrete.
“Në fokus të takimit ishte prioriteti për hapjen e vendkalimit kufitar Miratoc–Llojan, si një urë lidhëse […] një mundësi për zhvillimin ekonomik të rajonit tonë”, kishte shkruar Ardita Sinani pas një takimi të zhvilluar muaj më parë me zëvendësministren e Transportit dhe Lidhjeve të RMV-së, Kaltrina Zekolli.
Ajo ka përsëritur se ka bërë kërkesa zyrtare për hapjen e pikës kufitare, ashtu sikur edhe paraardhësit e saj.
Për këtë temë një muaj më parë në Preshevë kishte folur edhe Izet Mexhiti, zëvendëskryeministri i RMV-së, pas një vizite të realizuar.
“Riafirmova mbështetjen tonë të palëkundur për Luginën e Preshevës. Diskutuam për mundësinë e hapjes së pikës kufitare Llojan–Miratoc, një hap kyç për rritjen e lidhjes ndërmjet vendeve tona”, kishte shkruar Mexhiti. Por deri tani asnjë nismë konkrete zyrtare nga Qeveria e Shkupit, por edhe e asaj nga Beogradi.
Banorët kërkojnë që institucionet e Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë të ngrenë si çështje emergjente. Ata kërkojnë që të mos trajtohen si numra statistikash në raporte ndërkombëtare, por si njerëz me nevoja reale.
“Ne nuk po kërkojmë autostradë, as vendkalim të madh tregtar. Vetëm një rrugë kalimi, një derë të hapur mes dy fshatrave që flasin të njëjtën gjuhë dhe ndajnë të njëjtën histori,” thekson për INA një tjetër banor nga Llojani, duke kërkuar nga komunat përkatëse dhe qeveritë që të veprojnë.
Banorët vazhdojnë të presin me shpresën se diçka do të ndryshojë, por gjithçka tregon se zgjidhja është ende larg – ndoshta më larg se vetë kufiri që i ndan.(INA)