21 Janar 2019 / 14:48
Aktakuza për rastin e 27 prillit nuk do të ketë ndryshime thelbësore, por vetëm saktësim, thotë prokuroja Villma Ruskovska. Edhe më tej mbetet akuza për vepër penale rrezikim terrorist të rendit kushtetues dhe sigurisë për 16 persona dhe për dy persona tjerë për ndihmë.
Ka saktësim duke pas parasysh provat shtesë që u prezantuan dhe gjithashtu edhe për shkak të ligjit për amnisti, patjetër të sqarohet më saktë kush dhe çka ka bërë nga të akuzuarit, ndërsa kjo do të bëhet në fjalët përmbyllëse – tha Vilma Ruskovska, prokurore.
Kjo do të thotë se mbetet vepra e njëjtë penale?
Po – u përgjigj shkurt Ruskovska.
Një ditë më parë kryeministri Zoran Zaev në intervistë për “Civil” pohonte se amnistia do të kontribuojë për pajtim, madje edhe tek grupet e tifozëve dhe te të rinjtë e partive.
Vetë ligji bën dallim, kufizim, çka do të thotë pjesëmarrje në dhunë, për rolin e njerëzve të maskuar në dhunën dhe gjithë ngjarjen, çka do të thotë organizimi dhe planifikimi i ngjarjes. Njëkohësisht, do të dërgohet porosia se patjetër të ketë dënim. Ky proces në të njëjtën kohë mundësoi ambient të besueshmërisë mes deputetëve në Kuvend – deklaroi kohë më parë Zoran Zaev, kryeministër.
Pas amnistisë edhe sot në gjykatë kishte numër të përgjysmuar të akuzuarve për të enjten e përgjakur. Mes tyre edhe Mitko Çavkov dhe Igor Durllovski që nuk kërkuan amnisti. Gjykatësja Dobrilla Kacarska e shtyu seancën me arsyetimin se nuk janë të plotfuqishme të gjitha vendimet e Gjykatës së Apelit për ata që u ankuan rreth asaj përse nuk janë amnistuar. Deri tani Gjykata e Apelit u prononcua me refuzimin e ankesave për të akuzuarit Aleksandar Vasilevski- Ninxha, Goranço Angellovski- Qoseto, Mlladen Dodevski, Nikolla Mitrevski- Koljo, Oliver Popovski, Goran Joshevski- Levi, Vilijam Mihajllovski, Mitko Peshov dhe Sashko Markovski. Nuk dihet kur dhe nëse ka vendim për Munir Pepiq, Oliver Radulov dhe Vllatko Trajkov. Për të akuzuarin Abdylfeta Alimi, u zhvillua seancë publike për ankesën për amnisti dhe pritet të ketë vendim nga Gjykata e Apelit. Gjykimi vazhdon më 31 janar për shkak të mungesës zyrtare të prokurores Vilma Ruskovska.
Alsat
Loading…