Shoferi kalimtar zbulon trupin e 25-vjeçarit shqiptar, autoritetet në hetim
Një 25-vjeçar shqiptar është gjetur pa shenja jete më 20 shkurt në një zonë rurale mes komunave Bra dhe Montà, në provincën e Asti, Itali, transmeton albinfo.ch.
Trupi i pajetë u zbulua pranë automjetit të tij, i cili ishte lënë me derën e hapur. Sipas mediave lokale, një drejtues mjeti kalimtar ka vërejtur situatën dhe ka njoftuar menjëherë autoritetet. Në vendngjarje kanë ndërhyrë forcat e rendit për të nisur hetimet.
Shkaqet e vdekjes ende nuk janë bërë të ditura, ndërsa identiteti i të riut nuk është publikuar zyrtarisht. Autopsia pritet të kryhet në ditët në vijim, çka do të ndihmojë në sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
Hetimet po zhvillohen nën drejtimin e prokurores Sara Paternò dhe po ndiqen nga Karabinierët e Kompanisë së Bra.
Sipas informacioneve paraprake, 25-vjeçari jetonte në zonën e Alba dhe nuk rezulton të ketë pasur precedentë penalë. Autoritetet po punojnë për të hedhur dritë të plotë mbi këtë rast.


