Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së martës në Durrës ku një 24 vjeçare pas një konflikti me bashkëshortin e saj dyshohet se është vetëhedhur nga ballkoni i shtëpisë.
Gazetarja Klodjana Haxhiaj ishte në banesën e 24-vjeçares Anisa Gjini, një vilë katër katëshe familjare, e ngritur nga vëllezërit Gjini, ku çifti i bashkëshortëve jetonte në katin e tretë. Të shokuar nga lajmi tronditës kanë qenë të gjithë të afërmit që kanë udhëtuar gjatë gjithë natës për të qenë pranë familjes, pas ngjarjes së rëndë, ku 24-vjeçarja gjeti vdekjen.
Vëllai i bashkëshortit të së resë tha se ishte lajmëruar nga vëllezërit e tjerë për vdekjen e kunatës dhe se nuk i dinte motivet e kësaj ngjarjeje. “Jemi të shokuar, nuk ishim në dijeni të ndonjë konflikti mes tyre. Na thanë që kunata ka rënë nga ballkoni”, tha ai.
Fqinjët, dëshmitarë thanë se ka qenë ora 23:00 e mbrëmjes së djeshme kur dëgjuan një zhurmë të madhe. “Dolëm jashtë, kur pamë që Anisa ishte hedhur nga ballkoni i katit të tretë. Bashkëshorti e mori dhe e dërgoi në spital, por ajo kishte vdekur. Ata kanë një djalë 3 vjeç dhe nuk i kishim parë kurrë të kishin ndonjë sherr. Nuk kishim dëgjuar ndonjë zënkë. Nuk e dimë pse ndodhi”, thonë ata.
Dhe të afërmit e tjerë thanë se çifti nuk kishte probleme ekonomike-sociale. Gruaja punonte në një fabrikë këpucësh, i shoqi punonte në ndërtim dhe nuk iu mungonte asgjë.
Vila ku jetonin ishte ndërtuar të gjithë bashkë vëllezërit kur ishin vendosur nga Librazhdi në zonën e Kënetës.
Se çfarë ka ndodhur mbrëmë mes çiftit që e detyroi 24-vjeçaren të hidhej nga kati i tretë, mbetet mister dhe pritet dëshmia e 31-vjeçarit Alfred Gjini për të zbardhur motivet e aktit ekstrem të ndërmarrë nga e reja.



