Para njëzet e dy vjetësh, më 26 shkurt, në Rotimlje pranë Mostarit, në një aksident ajror humbi jetën ish-presidenti i Republikës së Maqedonisë, Boris Trajkovski, së bashku me anëtarë të kabinetit të tij dhe ekuipazhin e avionit. Përvjetori i vdekjes së presidentit Trajkovski sot do të shënohet në Shkup, në vendlindjen e tij Strumicë dhe në Rotimlje.
Presidenti Boris Trajkovski humbi jetën në këtë ditë të vitit 2004 në një aksident ajror pranë Mostarit. Në aksident, përveç tij, jetën e humbën edhe Dimka Ilkova-Boshkoviq, Risto Blazhevski dhe Anita Krishan Lozanovska nga kabineti i presidentit, Mile Krstevski nga Ministria e Punëve të Jashtme, Boris Velinov dhe Ace Bozhinovski nga sigurimi, si dhe pilotët Marko Markovski dhe Branko Ivanovski.
Avioni qeveritar “Kinger”, me të cilin presidenti Trajkovski po udhëtonte për në Konferencën Ndërkombëtare për Investime në Bosnjë dhe Hercegovinë, më 26 shkurt 2004 u rrëzua në zonën e Matiq Bërdo pranë fshatit Hushkoviqi afër Mostarit. Avioni duhej të ulej në aeroportin e Mostarit në orën tetë sipas kohës lokale, ndërsa mbetjet u gjetën 24 orë pas rrëzimit.
Hetimi fillestar i zhvilluar nga autoritetet maqedonase dhe boshnjake tregoi se shkak i rrëzimit ishin gabimet e ekuipazhit gjatë procedurës së afrimit në aeroportin e Mostarit, në kushte të vështira meteorologjike, me mjegull të dendur dhe vranësira.
Me kërkesë të autoriteteve maqedonase, pas mbledhjes së provave shtesë nga Ministria e Punëve të Brendshme, në janar të vitit 2013 u hap një hetim i ri, i udhëhequr nga një ekip ndërkombëtar në krye me Omer Kuliqin. Edhe në raportin e tyre si shkaqe kryesore të aksidentit u theksuan gabimet e ekuipazhit dhe lëshimet sistemore.
Boris Trajkovski lindi në Strumicë më 25 qershor 1956. Ai ishte presidenti i dytë i Republikës së Maqedonisë në periudhën nga 15 dhjetori 1999 deri më 26 shkurt 2004.
Trajkovski u diplomua në Fakultetin Juridik në Shkup në vitin 1980, ku u specializua në të drejtën tregtare dhe të drejtën e marrëdhënieve të punës.
Nga 21 dhjetori 1998 ai e ushtroi detyrën e zëvendësministrit të Punëve të Jashtme në Qeverinë e drejtuar nga Ljubço Georgievski. Ai ishte gjithashtu kryetar i Komisionit për marrëdhënie të jashtme në VMRO-DPMNE, këshilltar kryesor politik për politikë të jashtme i kryetarit të partisë, anëtar i Kryesisë së lëvizjes joqeveritare Pan-Evropiane për Republikën e Maqedonisë dhe i konferencës ndërkombëtare “Zgjidhja e konflikteve” me seli në Atlanta, SHBA. Për më shumë se 12 vjet ishte kryetar i rinisë së Kishës së Bashkuar Metodiste në ish-Jugosllavi.
Ai u zgjodh president i Republikës së Maqedonisë në vitin 1999 dhe e ushtroi këtë detyrë deri më 26 shkurt 2004, kur humbi jetën në aksidentin ajror pranë Mostarit.


