17 kandidatë janë paraqitur për pozitën e Avokatit të Popullit, e cila prej 12 korrikut është e lirë pasi Naser Ziberi u largua nga pozita për shkak të plotësimit të kushteve për pension.
Në mesin e kandidatëve janë zëvendësi aktual i Avokatit Ylber Rufati, ish anëtari i Komisionit për Anti-korrupsion, Shemshi Sallai, por edhe shefi i kabinetit të kryetarit të Kuvendit, Driton Nebiu.
Ambicie për t’u bërë Avokat i Popullit ka shprehur edhe ish Avokati i Shtetit, Femi Stafa i cili u shkarkua nga Qeveria në vitin 2022.
Komisioni në periudhën në vazhdim duhet të miratojë propozim-vendim për zgjedhjen e Avokatit të Popullit, ndërsa më pas duhet i njëjti duhet të votohet me shumicë votash në Kuvend dhe shumicë Badinteri.
Naser Ziberi në këtë pozitë erdhi në vitin 2021 pasi paraprakisht kishte qenë figura kryesore e fushatës së BDI-së për kryeministrin e parë shqiptar.
Paraprakisht, në pozitën e Avokatit të Popullit ka qenë Ixhe Memeti, një figurë e njohur partiake që pas mbarimit të mandatit, u bë anëtar në Këshillin e Prokurorëve, ndërsa u zu duke marrë ryshfet për të shpëtuar një trafikant./ Alsat.mk