Policia gjatë dy ditëve të fundit ka konstatuar gjithsej 1322 kundërvajtje në trafik, ndërsa 32 persona janë privuar nga liria për drejtim të pamatur të automjetit, përcjell TV21.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, kontrollet e rregullta të trafikut janë zhvilluar më 10 dhe 11 gusht në të gjithë territorin e vendit. Nga gjithsej 1322 urdhërpagesat e lëshuara, 400 kundërvajtje kanë të bëjnë me tejkalimin e shpejtësisë së lejuar.
“Janë privuar nga liria 32 persona për drejtim të pamatur të automjetit, prej të cilëve tre për drejtim nën ndikimin e alkoolit, 15 për drejtim pa patentë shoferi dhe një person për shkak të një ndalimi të mëparshëm për drejtimin e automjetit”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Gjatë së njëjtës periudhë, janë sekuestruar 13 automjete në përputhje me nenin 300-b të Kodit Penal.
Policia ka evidentuar gjithashtu 302 kundërvajtje për parkim të parregullt, ndërsa janë shqiptuar 16 sanksione për drejtim nën ndikimin e alkoolit.
Për mosmbajtje të helmetës mbrojtëse janë sanksionuar 106 drejtues motoçikletash, ndërsa 67 pjesëmarrës në trafik janë gjobitur për mosvendosjen e rripit të sigurimit.
Sipas Ligjit për automjetet, nga trafiku janë larguar tetë automjete të paregjistruara dhe dy për shkak të parregullsive teknike. Janë sanksionuar edhe pesë drejtues për mosrespektimin e kushteve të përcaktuara për errësimin e xhamave të automjeteve.
“Kontrollet në trafik vazhdojnë edhe në ditët në vijim. Apelojmë te të gjithë pjesëmarrësit në trafik që t’i respektojnë rregullat dhe dispozitat e trafikut dhe së bashku të kontribuojmë për rrugë më të sigurta”, apelon MPB-ja.



