Tetova vazhdon të jetë një ndër qytetet me ajër më të ndotur! Të dhënat e Sistemit Shtetëror për Monitorim Automatik të cilësisë së ajrit, tregojnë se në 365 ditë, në 108 ditë Tetova ka qenë me ajër të ndotur. Ambientalisti Arianit Xhaferi për këtë gjendje gishtin e drejton kah autoritetet, të cilat sipas tij, vetëm japin rekomandime por asnjëherë nuk merren masa konkrete. Sipas Xhaferit Qeveria më shumë përkujdeset për imazhin e vet sesa për ajrin.
“Faktor kryesor është mungesa e interesimit nga ana e Qeverisë, Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe komplet qeverisë për të sjellë një ndryshim në mënyrën e ngrohjes së qyteteve tona. Sot kemi parë dhe jemi dëshmitar se Ministri i Jashtëm ka harxhuar 100 mijë euro për të reklamuar veten që do të udhëheqë me OSBE-në, ndërsa jemi dëshmitarë se një mërgimtar i ka sjellë spitalit inkubator në vlerë prej 150 mijë euro, dhe këtu është se Qeveria jonë ka ngatërruar prioritete dhe në vend që të merret me masa thelbësore kundër ndotjes këta merren me reklama edhe me masa kozmetike, ku ka më shumë rekomandime sesa masa”, tha Arijanit Xhaferi, ambientalist.
Mjeku i familjes Bekim Ismaili sugjeron se në këtë periudhë me mjegull dhe ajër të ndotur të mbahen maskat dhe të mos dilet pa nevojë.
“Janë shumë faktorë që ndikojnë në ndotjen e ambientin dhe gjithsesi se ndikon në shëndetin e popullatës dhe pacientëve të cilët janë më të ndjeshëm ndaj ndotjes së ajrit dhe ata janë fëmijët, të vjetrit mbi moshën 70 vjeç, pastaj janë pacientet të cilët vuajnë nga sëmundje të ndryshme kronike të sistemit kardiovaskular dhe veçanërisht të sistemit respirator pasi që ne edhe përmes ajrit i thithim grimcat PM10 që janë në masë enorme”, pohoi Bekim Ismaili, Spc. i mjekësisë familjare .
Sipas standardeve botërore shëndetësore, në një vit kalendarik nuk duhet të ketë më shumë se 35 ditë me ajër të ndotur.