14 July
Shënimi i 1 vjetorit të puçit në Turqi përmes aktiviteteve të ndryshme në Maqedoni, për ambasadoren turke në vend Tulin Erkal Kara nuk paraqet tejkalim të ndikimit politik rus, dhe as ndërhyrje në punët e brendshme të Maqedonisë. Madje, ambasadorja turke e sheh normale shënimin e këtij përvjetori edhe në Maqedoni, pasi sipas saj, Turqia dhe Maqedonia janë shtete mike dhe kanë marrëdhënie vëllazërore. Ambasadorja turke përsëriti se këto aktivitete kanë marrë mbështetjen e qeverisë së Zaevit, madje, në manifestimin qendror që do të mbahet nesër, do të jetë i pranishëm edhe kryeministri.
Në fillim dua të theksoj se nuk jam e habitur nga kjo pyetje që po drejtoni, Dua të theksoj dhe të rikujtoj se Maqedonia kishte një krizë politike ku 6 muaj pas zgjedhjeve parlamentare nuk u arrit te krijohej një qeveri. E në veçanti, ishte Turqia i vetmi shtet që nuk ndërhyri në punët e Brendshme të Maqedonisë, pasi ne jemi një shtet mik e vëllazëror, parime këto ku bazohet edhe bashkëpunimi dhe marrëdhëniet tona. Mendoj se është mirë që këtë pyetje t’ua parashtroni ambasadorëve të shteteve të tjera të huaja në Maqedoni, sepse Turqia ishte i vetmi shtet që nuk ndërhyri gjatë krizës në Maqedoni- deklaroi Tulin Erkal Kara, Ambasadore e Turqisë.
Fryma e manifestimit të 1 vjetorit të pucit ka zënë vend edhe në institucionet fetare sot. Madje vetë Bashkësia Fetare Islame, me një apel të quajtur “Letërqarkore me rastin e puçit të pasuksesshëm në Republikën e Turqisë”, iu drejtohej imamëve dhe hoxhallarëve që në namazin e xhumasë të flitej për këtë ngjarje. ALSAT kontaktoi me BFI-në prej nga na thanë se “bazuar në lidhjen fetare mes dy popujve, sot është folur për Puçin, ngjarje kjo që nuk duhet t’i ndodhë asnjë shteti.” Megjithatë, nga BFI-ja nuk kanë sqarim se për çfarë arsye dhe motivi bëhet ky apel. Nga ana tjetër, edhe autoritetet qeveritare e kanë dhënë fjalën për mbështetjen me reklama dhe aktivitete të shënimit të kësaj dite, por as sot nuk konfirmuan emrat e përfaqësuesve pjesëmarrës në manifestimin e 1 vjetorit të puçit në Turqi.
Konfirmojmë se në manifestimin qendror më 15 korrik do të marrin pjesë edhe përfaqësues të lartë, por ende nuk është caktuar se cilët prej tyre do të marrin pjesë– bëjnë me dije nga Qeveria.
Alsat edhe sot ppyeti në Ministrinë e Jashtme se si një shtet mund të ngrejë dhe financojë fushata politike për aktivitetet të veta të brendshme, por nuk mori përgjigje. Prej ditësh, tabela të shumta reklamuese kanë pushtuar rrugët e qyteteve të banuara kryesisht me shqiptarë, por edhe kryeqytetin. Në tabela shkruhet “15 korrik – Demokracia fitoi”, duke iu referuar asaj që pushteti i Erdoganit e quan “Puç” nga forcat gyleniste në Turqi. Këto tabela ngrenë dilemat se si një fushatë, aq më tepër edhe kontroverse, gjen hapësirë në Maqedoni. Nga ana tjetër, përveç periudhës ligjore të fushatës zgjedhore, firmat reklamuese nuk kanë asnjë rregullativë kufizuese për reklamimet. Mjafton vetëm pagesa dhe cilido subjekt mund të përdorë dhe manipulojë opinionin publik me mesazhe, qofshin ato edhe të dëmshme.
Valmira Zendeli

