Prokuroria e Posaçme kërkoi dhe shtyu me 3 muaj të tjera hetimet ndaj ish-zv/kryeministres së pezulluar, pandehur dhe akuzuar për abuzim me detyrën, Belinda Balluku, për shkak se i duhej më shumë kohë për të shqyrtuar provat e reja që kanë gjetur gjatë investigimit të çështjes.
Kështu u shpreh mes të tjerash gazetarja Klodiana Lala, gjatë emisionit “Kjo Javë”, duke rrëfyer detajet e hetimit të deritanishëm dhe fazat e mëtejshme.
“Prokurorët e posaçëm kanë vendosur që të zgjasin edhe me 3 muaj të tjerë hetimet për zv/kryeministren e akuzuar Belinda Ballukun. Ata e motivojnë këtë vendim me qëllim për të kërkuar më shumë kohë për të bërë hetime shtesë. Sepse ka ende shumë persona që kanë dijeni dhe duhen marrë në pyetje, ka shumë celularë si provë që duhen analizuar dhe ekspertuar, ka shumë shkresa të ministrisë që duhen verifikuar dhe hetuar dhe në këto arsye prokurorët kanë konkluduar se po duhet shtyrë ky afat dhe më 13 prill kanë bërë kërkesën. Dhen ë një afat 3 mujor do të marrin vendimin për hetimet ndaj saj”, tha Lala për “News 24”.
Gazetarja shpjegoi se ish-zv/kryeministrja e pandehur mund ta ankimojë këtë shtyrje hetimesh dhe gjykata t’ia pranojë kërkesën, e në këto rrethana SPAK do duhet ta dërgojë dosjen me aktet aktuale për proces.
“Balluku dhe të bashkëpandehurit e tjerë mund të ankimojë këtë vendim të shtyrjes dhe gjykata mund ta pranojë, e SPAK të mbyllë hetimet në gjendjen që janë aktet dhe ta çojë për gjykim”, tha ajo.
Lala shpjegoi edhe procedurën dhe fazën hetimore që është ndjekur deri tani, duke theksuar se Balluku është zyrtarja më e lartë e akuzuar nga drejtësia dhe procesi i mëtejshëm do tregojë nëse do dënohet apo do shpallet e pafajshme.
“Kemi një zv/kryeministre që paracaktonte tenderët dhe ata shkonin në Duart e njerëzve pranë qeverisë. Si kompanitë e huaja vinin si fasadë dhe më pas largoheshin, si transformohej një vepër infrastrukturore me një të rënë të lapsit. Se si një zyrtar si Evis Berberi bënte korrupsionin dhe se si grumbullonte provat për të groposur të tjerët. Është çështje e rëndësishme dhe që ka përplasur më së shumti mazhorancën socialiste, kryeministrin me drejtësinë. Do pritur deri në finale nëse Balluku do ndëshkohet nga drejtësia apo nëse do shpallet e pafajshme do ishte një goditje shumë e madhe për SPAK-un”, u shpreh gazetarja.
Në fund ajo theksoi se kjo çështje është një ndër më të mëdhatë, por jo në nivelin e çështjes së AKSHI-t.
“Balluku është zyrtarja më e lartë nën akuzë, komplikohet për fakti se janë miliona euro në lojë, për paracaktim të tenderëve dhe deri te ndërhyrjet. Kurse në dosjen tjetër shkon në nivelin e krimit të organizuar, ndërhyrjeve në institucione, deri te pengmarrje dhe miliona euro, pra është një dosje me natyrë tjetër dhe e komplikuar”, tha Lala.


