Presidentët e Rusisë dhe Turqisë, Vladimir Putin dhe Tajip Erdogan, gjatë një bisede telefonike të dielën ranë dakord që raundi tjetër i bisedimeve ndërmjet delegacioneve ruse dhe ukrainase të mbahet në Stamboll, raporton noa.al.
“Gjatë bisedimeve u diskutua për situatën e fundit në luftën ruso-ukrainase dhe procesi i negociatave. Presidenti Rexhep Taip Erdogan dhe presidenti rus Vladimir Putin ranë dakord që takimin e radhës të delegacioneve negociuese të Rusisë dhe Ukrainës ta mbajnë në Stamboll”, u tha gazetarëve, zyra e presidentit turk.
Më herët, edhe kreu i delegacionit rus, ndihmësi i presidentit Vladimir Medinsky, tha se delegacionet e Rusisë dhe Ukrainës kishin vendosur që raundi i ardhshëm i negociatave ballë për ballë të mbahet në datat 29-30 mars.
Erdogan tha gjithashtu të dielën gjatë bisedave telefonike me Putinin se Ankaraja do të vazhdojë të promovojë paqen midis Rusisë dhe Ukrainës.
“Presidenti Erdogan theksoi nevojën për të vendosur sa më parë një armëpushim dhe më tej paqe mes Rusisë dhe Ukrainës, si dhe për të përmirësuar situatën humanitare në rajon. Ai shtoi se Turqia do të vazhdojë të kontribuojë në këtë proces”, – tha zyra e presidentit turk.
David Arakhamia, një nga negociatorët ukrainas, njoftoi po ashtu se delegacionet ruse dhe ukrainase do të takohen sërish për një raund të ri bisedimesh, duke pohuar se vendi i takimit është një resort në Antalia.
Ministrat e Jashtëm të Rusisë dhe Ukrainës u takuan në Antalia edhe më 10 mars, por asnjë përparim konkret nuk u bë që atëherë.
Raundi i parë i negociatave ndërmjet delegacioneve të Rusisë dhe Ukrainës u zhvillua më 28 shkurt në rajonin Gomel të Bjellorusisë. Në vijim u zhvilluan edhe dy raunde të tjera ballë për ballë, si dhe takime online.