Përgjimi ilegal ka sjellë krizën institucionale në Maqedoni, por ky nuk është rasti i parë kur janë keqpërdorur mjetet e komunikimit. Ky është vlerësimi i kryeprokurorit publik Marko Zvërlevski i prezantuar para prokurorëve të rajonit. Zvërlevski fjalimin e tij kryesisht e shfrytëzoi për apel që Ligji për ndjekjen e komunikimeve të ndryshohet, duke i ofruar prokurorit më shumë qasje dhe kompetenca deri tek aparatet e përgjimit dhe të mos përsëritet situata e njëjtë sikur tani kur përgjimi bëhet ekskluzivisht nga policia.
“Ndonëse me ligjin për ndjekje të komunikimeve është paraparë që organet kompetente për ndjekje të komunikimeve janë prokurori publik, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Drejtoria për polici financiare, madje edhe Drejtoria doganore, faktikisht ndjekja e komunikimeve mbeti në duart e Ministrisë së Punëve të Brendshme, sepse deri më sot, vetëm ata e posedojnë pajisjen e duhur. Këto janë vërejtjet kryesore të bashkësisë ndërkombëtare. Për këto arsye, pa mëdyshje se tërë procesi i ndjekjes së komunikimeve në Republikën e Maqedonisë pas stabilizimit të krizës politike duhet të rikonstruohet”, ka thënë Marko Zvërlevski, prokuror publik.
Zvërlevski apeloi që të vendosen mekanizma të fuqishme kontrolli të mjeteve të përgjimit në mënyrë që ato të mos keqpërdoren nga persona të pa autorizuar. Ai përdori rastin e Eduard Snoudenit i cili zbuloi aferën e përgjimit ilegal të shtetit në Amerikë për të ilustruar gjoja keqpërdorimin e aparatit të përgjimit për qëllime politike.
“Të gjithë ne jemi dëshmitarë të keqpërdorimeve të rënda të kësaj aparature nga ana e Agjencive për Kundërzbulim dhe vënia e tyre në funksion për qëllime politike. Mundësitë të cilat i ofron teknologjia sot, shpeshherë mund të na habisin edhe neve në aspektin profesional. Afera Snouden është vetëm një prej dëshmive për shkeljen eklatante të të drejtave të njeriut pa patur asnjë bazë të dyshimit” , ka shtuar ai.
Apelet Zvërlevski i dërgoi nga konferenca ndërkombëtare për ndjekjen e komunikimeve në të cilën ishin ftuar prokurorë publik dhe zëvendës prokurorë nga Shqipëria, Kosova, Rusia, Turqia, Bullgaria, Sllovenia, Kroacia dhe Bosnja dhe Hercegovina, por nuk janë ftuar përfaqësuesit e Prokurorisë Speciale.

