LSDM-ja sonte shpalosi platformën e saj para banorëve të Kumanovës. Para mijëra simpatizantëve fjalim mbajti bartësja e Listës në njësinë e dytë zgjedhore, Frosina Remenski, si dhe kandidati i kësaj partie në këtë njësi, Muhamed Zekiri. Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, tha se kanë mbetur edhe pesë ditë deri në rënien e këtij pushteti. Ai i bëri thirrje publikisht liderit të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, për debat publik, dhe tha se nëse ai nuk pranon deri në ditën e zgjedhjeve, do të dëshmohet se Gruevski është qyqarë. Sipas tij, përveç Gruevskit, edhe Ahmeti frikohet nga bashkimi i qytetarëve pa dallime etnike nëpër tubimet e LSDM-së. Ai u betua se të gjitha rastet e montuara, si, Monstra, rasti i Kumanovës dhe të gjitha rastet e tjera, do t’i zbardh deri në fund, që të mos mbetet asnjë dyshim mbi të bëmat kriminale të këtij pushteti, raporton SHENJA.
“Për pesë ditë, fiton jeta në Maqedoni. Zëri më është shterur, por tashmë dy vjetë u bërtas kriminelëve. Pas lirisë, u premtoj kompensim për gjithçka që keni humbur. Dua t’i bëj thirrje Gruevskit të pranojë përballje, kanë mbetur edhe disa ditë. Duheshte sot në mëngjes të vijë në duel televiziv por nuk erdhi. Gruevski, nëse ikë përballjes deri në fund të kampanjës, kjo nënkupton se t’i je qyqarë. Për ‘Lagjen e Trimave’, për këtë turp që ja bënë Maqedonisë, patjetër që do të përgjigjen. U betohem se do ta zbardhim deri në fund këtë rast. Betohem se kësi raste të pavërteta, Maqedonia asnjëherë nuk do të përjetojë. Patjetër që rasti i Kumanovës të zbardhet deri në fund, dhe do ta zbardhim. Po frikohen Gruevski dhe Ahmeti nga bashkimi jonë. Të gjithë të krenoheni, së bashku po shënojmë historinë. Qytetarët kërkojnë jetë të përbashkët këtu në Maqedoni. Shqiptarët nuk duan federalizim, as kantonizim, këto janë gënjeshtra të kulluara të pushtetit. Shqiptarët, ashtu sikurse turqit, maqedonasit dhe të gjithë të tjerët, kërkojnë jetë më të mirë, paga më të mira”, deklaroi lideri i LSDM-së, Zoran Zaev. /SHENJA/