Në ditën e dhjetë të fushatës për zgjedhjet lokale, procesi ka rrjedhur në një frymë të qetë dhe demokratike dhe në përputhje me frymën e zgjedhjeve të lira dhe të drejta, vlerësoi sot në konferencën për shtyp shefi i Shtabit Qendror Zgjedhor të BDI-së, Fatmir Besimi.
“Në këto 10 ditë, Bashkimi Demokratik për Integrim, për çdo ditë ka në terren jo vetëm se kandidatët për kryetarë komunash apo këshilltarë, por të gjithë aktivin partiak bashkë me mijëra vullnetar që identifikohen me ofertën tonë zgjedhore. Vlerësojmë së fushata zgjedhore kryesisht po vijon në frymë demokratike dhe në përputhje me frymën e zgjedhjeve të lira dhe të drejta”, tha Besimi.
Ne, tha ai, do të angazhohemi që edhe 10 ditësh i dytë i fushatës të vijoj në frymë të njëjtë duke respektuar në tërësi votuesin dhe qytetarin. “Më lejoni që të shpreh mirënjohjen më të thellë për të gjithë qytetarët që hapën dyert e shtëpive të tyre për kandidatët dhe aktivistët tanë dhe pritjen shumë bujare që po i bëhet ofertës sonë.
Në 10 ditëshin e ardhshëm, kandidatët tanë bashkë me aktivistët dhe vullnetarët, do të intensifikojnë fushatën dhe do të vizitojnë edhe ato familje tjera që akoma si kemi vizituar për të prezantuar ofertën tonë fitimtare. Sot, të gjithë kandidatët tanë janë në teren në komunat përkatëse dhe nisin me strategjinë tonë zgjedhore për dhjetë ditëshin e radhës drejt fitores së 15 tetorit”, theksoi Besimi. Shefi i shtabit Besimi njoftoi se atmosfera në terren është shumë pozitive dhe në përputhje të plotë me rezultatet e anketave të agjencive me renome si IRI dhe NDI, bashkë me anketat e tyre të brendshme, që i bën të besojnë se qytetarët do të përcaktohen për ofertën më të mirë, me projekte konkrete.