Për momentin nuk ka rrezik nga zjarret për shtepitë dhe hotelet në vendbanimin turistik të Strugës “Elen Kamen”. Zjarri në këtë pjesë të Strugës është paraqitur nga pasditja e së premtes, në pyllin mbi “Elen Kamen”.
Ndërkohë nga shërbimi i zjarrfikësve në Strugë për Alsat thonë se zjarri është vërejtur pas orës 13.00, pas së cilës kanë ndërhyrë ekipet e zjarrëfikësve, mirëpo zjarri është zona të vështira për të intervenuar, ndërsa problem shtesë është edhe era e forte, që fryn nga jugu. Ata shtojnë se zjarri aktualisht ndodhet në 1.5 kilometra larg shtëpive dhe hoteleve dhe se po lëvizte ngadal drejt pyllit. Ekipi i zjarëfikësve do të qëndrojë terren gjatë gjithë natës për të vëzhguar situatën, ndërsa ende nuk kanë informata se si është aktivizuar zjarri dhe nëse dikush e ka nxitur ose aktivizuar. Ne kontaktuam edhe disa nga pronarët e hotelit dhe ata thonë se janë duke monitoruar situatën, por se për momentin nuk ka asnjë rrezik për objektet e tyre.
Qytetarët që kanë shtëpi pushimi këtu thonë se është përhapur tym i dendur dhe shpresojnë që zjarri të shuhet, për shkak të paparashikueshmërisë së erës.
“Situata është shumë e frikshme, sepse akoma e shoh zjarrin nga shtepia ime. Ajri eshte i tmerrshem, nuk marë dot frymë. Po digjet, digjet e digjet. Dhe më duket se pas kodrës, ndonjë zjarr i ri po digjet. Për këtë nuk e di çfarë do bëjme sonte në lagje. Është shumë afër është mbi shtëpi, duke ardhur. Kemi frikë si do ta kalojmë natën. Do të vështrojmë situatën gjatë natës, pasi që jemi me fëmijë të vegjël të ardhur nga Shkupi. Unë qartë po e shoh zjarrin dhe po flas me ju dhe shoh zjarrin,” tha në telefon për Alsat, një banore e “Elen Kamen”-it.
Kryetari i bashkësisë lokale në “Elen Kamen”, Emil Poposki për Alsat thotë se qasja në terren është shumë e vështirë, kushtet janë të vështirë për të reaguar njesitë e zjarëfikësve, andaj dhe nuk mund të veprojnë në kushte të tilla dhe me erë të fortë, pasi që zjarri mund të shkaktojë probleme në çdo moment. Ndërhyrja e parë ka qenë e banorëve të asaj zone, pasi që sipas informacioneve fillestare, zjarri ka nisur nga ndezja e telave të shtyllave elektrike, të cilat ishin vetëm 300 metra nga shtëpitë e para./Alsat/