Sot në Berovë mbëriti ekipi slloven që u përfshi në shuarjen e zjarrit në malin Goten, si dhe zjarreve të tjera në Maqedoninë lindore. Zjarrfikësit nga Sllovenia u vendosën në stadiumin e qytetit “Dimitar Berovski”, ku pasi vendosën pajisjet, morën pjesë aktive në ndërhyrjet në terren në zonat e djegura.
Në një deklaratë për MIA-n, përfaqësuesi i ekuipazhit Robert Shkërl shprehu solidaritet të thellë me qytetarët e Maqedonisë dhe theksoi se ekipi i tyre do të punojë në koordinim të ngushtë me shërbimet kombëtare dhe ndërkombëtare për të siguruar një përgjigje efikase dhe në kohë ndaj krizës.
Si pjesë e Mekanizmit për mbrojtje civile të BE-së (UCPM), Sllovenia ka dërguar një Njësi për ndërhyrje të shpejtë – Modul për shuarje të zjarreve pyjore me automjete (SI EHI GFFF-V). Misioni përfshin një total prej 61 personash, duke përfshirë menaxhmentin, logjistikën, IT dhe mbështetje mjekësore, si dhe zjarrfikës të trajnuar.
“Mbërritëm me 17 automjete, 7 prej të cilave janë të specializuara për shuarjen e zjarreve në pyje, ndërsa këtu janë gjithsej 61 persona, 42 prej të cilëve janë zjarrfikës, të tjerët shërbejnë në logjistikë dhe mbështetje. Po ofrojmë sa më shumë ndihmë që mundemi dhe shpresojmë se do të kemi sukses në shuarjen e zjarrit”, deklaroi për MIA-n Robert Shkërl nga ekspedita sllovene e zjarrfikësve.
Njësia sllovene është e pajisur për pavarësi të plotë, me pajisjet e veta logjistike dhe të komunikimit, dhe angazhimi i tyre fillimisht është planifikuar të zgjasë një javë, me mundësi zgjatjeje në varësi të zhvillimit të situatës në terren.