Rreth zjarreve të cilat kanë kapluar vendin këto ditët e fundit ekzistojnë disa dyshime të cilat ende nuk janë të verifikuara nga organet kompetente. Nga Qendra për Menaxhim me Krizat, Drejtoria për mbrojtje dhe Shpëtim dhe njësitë e zjarrfikësve thonë se shumë të rralla janë zjarret të cilat nisin pa shkaktar, apo pa ndikim të faktorit njeri me apo pa qëllim dhe, si: nga djegia e kashtës së mbetur nga të mbjellat, hedhja e cigareve të ndezura, zjarrvënie e qëllimshme pasi që drunjtë nuk digjen plotësisht dhe pjesa e mbetur shitet shumë më lirë, mbirja e kërpudhave apo bimëve të tjera të cilat janë të shtrenjta etje, shkruan Almakos.
Kreu i njësisë zjarrfikëse të Tetovës, Uka Aliti, thotë se mbrëmë kanë marrë pjesë në shuarjen e dy zjarreve, ndërsa sot si problematik është edhe zjarri që ka kapluar Matkën dhe i cili ka marrë hov nga pjesa mbi Kopanicë nga Radusha. Mungesa e mjeteve të punës apo amortizimi i një pjese të tyre, e bëjnë edhe më të veshtirë punëë e zjarrfikësve.
“Gjithmonë në radhë të parë shkaktar është faktori njeri ndonjëherë me qëllim e ndonjëherë nga pakujdesia, ndonjëherë bujqit i djegin mbetjet e mbjelljeve dhe nuk mendojnë se mund të ju dalë situata jashtë kontrollit. Mbrëmë ka pasur zjarr ndër “Erebino”, ku është kazerma, në të cilin kemi ndërhyrë rreth orës dy të mëngjesit, të cilin me sukses e kemi lokalizuar dhe shuar. Në orët e mbrëmjes kemi intervenuar në atarin e fshatit Odër. Për momentin (14:50) jemi duke intervenuar në katër raste, në disa lokalitete të Komunës së Tetovës dhe rrethinës së saj, pra komunave rurale. Jemi të shqetësuar shumë për zjarrin që na u imponua nga ana e Shkupit, sepse në vendin e quajtur mbi Kopanicë nga Radusha, ai zjarr është duke u zgjeruar dhe vjen nga ana jonë.”- tha Uka Aliti, nga Njësia e Zjarrfikësve të Tetovës.
Ndërsa, drejtori në Qendrën për Menaxhim me Kriza, Agron Buxhaku, thotë se ditët e fundit ndihmë kanë kërkuar edhe nga shtete fqinje, por me përjashtim të Bullgarisë e cila ka vënë një helikopter në dispozicion të Maqedonisë, shtete tjera po përballen edhe vet me të njëjtin problem.
“ Ne si qendër kemi për obligim të koordinojmë dhe lajmërojmë fillimisht të gjithë institucionet që janë të përfshira në shuarjen e zjarreve dhe parandalimin e tyre. Më pas rolin e tyre e luajnë njësitë e Vetëqeverisjes lokale, më pas Drejtoria për Shpëtim dhe së fundi, nëse nuk arrijnë me kapacitete e tyre të shuajnë zjarret, kërkojnë angazhimin e helikopterëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Kjo e fundit ka dy helikopter, ndërsa Drejtoria për Shpëtim ka dy avionë për shuarjen e zjarreve. Fatmirësisht deri tani këto zjarre nuk kanë sjellë viktima apo dëme materiale dhe këtë po përpiqemi me kohë të parandalojmë. Duhet thënë se në të shumëtën e rasteve , shkaktar janë njerëzit.”- tha Agron Buxhaku, drejtor në Qendrën për Menaxhim me Kriza.
Momentalisht në vendin tonë, sipas Drejtorit për Mbrojtje dhe Shpëtim, Shaban Saliu, zjarre aktive ka në Bogomile, Moran dhe Studeniçan, në Krushevë dhe Matkë ( i riaktivizuar gjatë pasdites). Sipas tij, temperaturat e larta të paralajmëruara për në ditët në vazhdim rrezikojnë riaktivizimin e zjarreve tashmë të shuara. E kjo u vërtetua edhe me faktin se disa orë pas deklaratës së Saliut, zjarri në Matkë u aktivizua serisht.
“ Në Moran dhe Studeniçan kemi ndërhyrjen e njësiteve lokale të zjarrfikësve dhe në mëngjes morën pjesë edhe avionët e Drejtorisë për mbrojtje dhe Shpëtim, gjithashtu edhe helikopterët e ARM-së, një helikopter nga Bullgaria dhe një nga Turqia. Më së shumti zjarret shkaktohen nga njerëzit, për qëllime të ndryshme apo përfitime, si shitja e drunjte me çmim më të ulët, apo për shkak të kërpudhave dhe bimëve që mbijnë pas fikjes së zjarreve. Megjithatë temperaturat të cilat pritet të jenë mbi 40 gradë celsius paraqesin rrezik qe zjarret e njëjta te aktivizohen serish”- tha Shaban Saliu, drejtor në Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim.
Rreth 300 hektarë pyje të dushkut dhe ahut shkatërroi zjarri në Zërnovc i cili 12 orë tërboi në atarin e fshatrave Vidovishte dhe Teranci. Zjarri është shuar nga njësia territoriale zjarrfikëse e Koçanit dhe Ekonomia pyjore “Osogovo”.
Evi Shkopi
Almakos.com