Sërish zjarr në jug të vendit. Një vatër aktive është raportuar sot në malin e Skërficës, në territorin e Bashkisë Delvinë, me rrezik përhapjeje drejt Bashkisë Gjirokastër dhe pyllit të mbrojtur të Pikësit.
Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit (MZSH) Gjirokastër ka lajmëruar kolegët në Delvinë, të cilët kanë dërguar një grup zjarrfikësish për të ndërhyrë në terren. Por për shkak të terrienit të thyer malor dhe largësisë, ndërhyrja është e kufizuar me mjete tokësore.
Zjarri vijon të jetë aktiv dhe në varësi të drejtimit të erës, mund të përhapet me shpejtësi në sipërfaqe të mëdha pyjore, duke rrezikuar seriozisht zonën e mbrojtur të Pikësit.
MZSH Gjirokastër ka planifikuar që nesër të dërgojë në zonë 10 zjarrfikës shtesë, ndërsa është kërkuar edhe mbështetje nga forcat ushtarake për përforcim në terren.
Autoritetet po kërkojnë ndërhyrje emergjente nga ajri, pasi situata konsiderohet kritike dhe çdo vonesë mund të sjellë dëmtime të parikuperueshme në habitatin natyror.