Një zjarr ka përfshirë sot kodrën me ullinj dhe pemë frutore në fshatin “Lapardha 2” në Berat. Zjarri është shfaqur papritur dhe i favorizuar nga era është përhapur në të gjithë kodrën, duke ju afruar edhe banesave të fshatit.
Kanë qenë banorët ata, që të frikësuar kanë njoftuar zjarrfikëset. Terreni i vështirë dhe mungesa e rrugës deri në zonën e zjarrit ka vështirësuar futjen me mjete të zjarrfikësve në zonë por me gjithë terrenin e vështirë kodrinor, zjarrfikësit kanë mundur të shmangin rrezikun e përhapjes së zjarrit drejt banesave.
Tashmë flakët e zjarrit janë lokalizuar po situata është duke u monitoruar pasi ka ende vatra të nxehta në të gjithë kodrën. Burime të zjarrfikësve nga vendngjarja bëjnë me dije se janë djegur shumë ullinj dhe pemë frutore, që do të evidentohen më qartë pas verifikimit të dëmeve. Mendohet se zjarri mund të jetë i qëllimshëm dhe po punohet për identifikimin e autorëve.



