Nuk ka zjarr mes Maqedonisë dhe Bullgarisë në këtë moment. Incidenti i djeshëm nuk do t’i prishë marrëdhëniet mes dy vendeve, tha në intervistë për TVB, ministrja e jashtme e Bullgarisë, Teodora Gençovska e cila është për vizitë pune në Shkup.
“Marrëdhënie normale, konstruktive. Udhëhiqet dialog normal pune, me të vërtetë të dyja palët punojnë në mënyrë thelbësore. E gjithë kjo merr shumë orë, tani vazhdojmë të përpiqemi për të gjetur zgjidhje për çështjet e hapura me qëllim që të realizohet marrëveshja për fqinjësi të mirë”- deklaroi Teodora Gençovska, Mpj Bullgaria.
Megjithatë, a mund të marrim dritë jeshile nga Bullgaria deri në fund të kryesisë franceze, me çka do të zhbllokohej rruga e Maqedonisë drejt BE-së.
“Është normal që të kenë pritshmëri për t’i nisur negociatat sa më shpejtë që është e mundur, por ne vazhdimisht po tregojmë se baza e procesit duhet të jenë meritat dhe të mos ketë korniza kohore. Të paktën pala bullgare asnjëherë nuk ka vendosur afate, data që kanë të bëjnë me fundin apo fillimin e ndonjë kryesie”- tha Teodora Gençovska, Mpj Bullgaria.
Mbi çështjen me Maqedoninë është biseduar me të gjithë ministrat dhe kryeministrin e Bullgarisë, shton Gençovska. Por nëse takimet e ministrave japin shpresë se ka gjasa për të arritur zgjidhje?
“Jemi optimistë në lidhje me rezultatet e arritur, por, kur dhe si, kjo varet nga gatishmëria e homologëve të qeverisë së RMV-së për t’i realizuar pikat e dakorduara për të arritur rezultate konkrete”- shtoi Teodora Gençovska, Mpj Bullgaria.
Në takimet, përveç për çështjet politike, është biseduar edhe për Korridorin 8, zhvillimin e bizneseve mes dy vendeve.
Vizita u realizua me ftesë të ministrit të jashtëm Bujar Osmani ndërsa e njëjta është në funksion të dialogut mes dy ministrive në lidhje me çështjet e hapura bilaterale, sipas Marrëveshjes për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim dhe për çështjen e eurointegrimin e Maqedonisë.