Ish deputeti Nazer Ziberi, që është i ftuar në emisionin “Arena” që po emitohet në Televizionin SHENJA, tha se vendimi i Presidentit Ivanov për të mos ia dhënë mandatin liderit të LSDM-së, Zoran Zaev, është i pakuptimtë, kontër-kushtetues dhe se mund të ketë reperkusione të rënda për sigurinë e vendit.
“Meqë Zoran Zaev i dorëzoi 67 nënshkrime, me të cilat e dëshmoi formalisht se ka siguruar shumicën në parlament, Kryetari i shtetit menjëherë duhej që t’ia jep mandatin. Mosdhënia e mandatit, paraqet shkelje të rëndë të dispozitave Kushtetuese”, tha mes tjerash Ziberi.
Nga ana tjetër, ish deputeti tjetër që gjithashtu është i ftuar në studio, Muhamed Halili, tha se vendimi i Ivanovit është vazhdimësi e politikës 26 vjeçare të VMRO-DPMNE-së. Halili theksoi se Ivanovi nuk është i autorizuar fare për të ndërhyrë në platformat e partive politike.
I të njëjtit mendim është edhe profesori universitar Temellko Ristevski, i cili thotë se Presidenti nuk ka kompetenca tjera, përpos së të dorëzojë mandatin atij që ka formuar shumicën. Ristevski tha se zgjidhja e kësaj situate, është që Ivanov të tërheq vendimin. /SHENJA/

