Instituti për Media dhe Analitikë IMA e promovoi publikimin e tij të shtatë: “Mediat dhe të drejtat njeriut (analiza)”, ndërsa në panelin e diskutimit në këtë eveniment mori pjesë edhe Naser Ziberi, Avokati i Popullit i Republikës së Maqedonisë së Veriut, i cili theksoi që liritë dhe të drejtat duhet të jenë në korrelacion me mbrojtjen e tyre nga ana e institucioneve përgjegjëse.
“Mendoj se liritë dhe të drejtat e njeriut duhet të jenë në korrelacion me mbrojtjen e tyre nga ana e institucioneve përgjegjëse. Shkathtësi e shoqërive është se si ta realizojnë të drejtën e parë pa e cenuar të dytën. Për mua, si drejtues i institucionit nacional për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve, nuk është shumë e rëndësishme nëse qytetarëve u janë shkelur të drejtat nga organet e administratës shtetërore, pushtetit lokal ose përmes mediave, për arsye që për mua është më me rëndësi kur dikush pengohet ta realizojë një të drejtë të garantuar me kushtetutë dhe me ligj, ose të cenohet ajo e drejtë. Mirëpo, do të bëja një dallim kur është bëhet fjalë për shkeljen e të drejtave përmes mediave, sepse fjala e folur përhapet lehtësisht, dëgjohet gjerësisht dhe nëse është e gabuar, atëherë është e vështirë të korrigjohet”, tha Ziberi.
Më tej, Avokati i Popullit theksoi se lajmet e rreme dhe dezinformatat mund të kenë pasoja të paparashikueshme për personin të cilit i drejtohen: “Këtë e di mirë nga fakti që e kam nisur karrierën time pikërisht si gazetar, ndaj e di peshën e fjalës së shkruar, dhe fjalës së thënë”.
Ziberi foli edhe për tendencën e shuarjes së mediave tradicionale dhe daljen e mediave të reja: “Vite më radhe jemi dëshmitarë të tendencës së shuarjes të mediave tradicionale, siç janë gazetat, por edhe daljes së të rejave, të ashtuquajturat mediat sociale, si Fejsbuk, Instagram, pastaj hapja e portaleve të internetit dhe të gjitha këto, në përputhje me trendet e reja në zhvillimin e shoqërive moderne. Digjitalizimi po bën të veten dhe ne nuk mund ta ndalojmë atë, por mund të përpiqemi t’i amortizojmë efektet e mundshme negative. Prandaj, është e nevojshme të ketë rregulla të sjelljes”.
Gjithashtu, Ziberi bëri me dije se liria e shprehjes në asnjë mënyrë nuk duhet të kuptohet si e drejtë absolute dhe se liria e të shprehurit përfundon aty ku shkelet e drejta e tjetrit.
“Nuk do të doja të keqkuptohesha si përkrahës i kufizimit të lirisë së shprehjes, por si ish-gazetar dhe si avokat i popullit aktual, besoj se liria e shprehjes nuk duhet kuptuar si një e drejtë absolute, pikërisht gazetarët si krijues të opinionit publik duhet të jenë shumë të kujdesshëm që informacioni të jetë i saktë dhe objektiv. E them këtë në drejtim të kontrollit të mirë të informacionit përpara se të publikohet. Sepse, siç thashë më parë, liria e shprehjes përfundon aty ku cenohet e drejta e tjetrit”, theksoi Ziberi.
Ziberi theksoi gjithashtu rolin dhe përgjegjësinë e mediave në shoqëritë multikulturore si kjo e jona. “Mediat luajnë një rol të rëndësishëm në të gjitha shoqëritë dhe jo rastësisht quhen fuqia e shtatë. Rëndësia e tyre, pra shkalla e përgjegjësisë, është edhe më e madhe në shoqëritë multikulturore si kjo e jona, ku një fjalë e thënë gabimisht mund të ketë pasoja të mëdha. Së këndejmi, mendoj se secili që punon në këtë sferë duhet të ketë një vetëdije të lartë për domethënien fjalës së shkruar, përkatësisht fjalës së thënë”, theksoi Avokati i Popullit.
Ai shprehu edhe mendimin e tij për nevojën e rregullimit të mediave të reja.
“Tash po zhvillohet një debat për nevojën e rregullimit të mediave të reja, siç janë portalet e internetit. Dilemat padyshim shkojnë në atë se a duhet të vendosen fare në një kornizë ligjore dhe në cilin drejtim duhet të shkojë rregullimi apo vetërregullimi i tyre eventual. Ekzistimi i disa rregullave minimale, si identiteti i subjektit të informacionit të postuar ose standardet e funksionimit nuk duhet të jetë një temë tabu. Nëse nuk përpiqemi t’i diskutojmë këto tema dhe të zbulojmë problemet, e padyshim që kemi probleme, do të biem në një kurth që është në kundërshtim me lirinë e mendimit dhe të shprehjes. Hapja e kësaj teme është një përpjekje për të bërë diçka mbi këtë gjë, por në asnjë rast nuk duhet të nënkuptojë mundësi apo shans për të kufizuar lirinë e medias dhe fjalën e lirë. Dhe këtu nuk dua të keqkuptohem, por, më lejoni të bëj një pyetje retorike – cili është dallimi kryesor mes demokracisë dhe anarkisë? Do të pajtohemi, se përveç lirisë, përfshirë lirinë e shprehjes, është ekzistimi e rregullave”, tha Ziberi.
Sipas tij, secili që hyn në hapësirën mediatike duhet të jetë i vetëdijshëm për përgjegjësinë e tij. “Unë personalisht mendoj se secili që hyn në hapësirën mediatike duhet të jetë i vetëdijshëm për përgjegjësinë e tij, sepse liria e fjalës në asnjë mënyrë nuk nënkupton mundësinë e cenimit të të drejtave të tjetrit. Liria e shprehjes dhe liria e mediave të çdo lloji duhet jenë në korrelacion me respektimin e individualitetit njerëzor, privatësisë, dinjitetit, si dhe me postulatin e pranuar përgjithësisht, të vendosur në ligjin tonë. Në fund të fundit, nuk mund të ketë vetëm të drejta pa përgjegjësi, sepse në atë rast nuk do të ketë as të drejta, por do të ketë të drejtë të më të fortit, dhe kjo padyshim është e papranueshme për çdo shoqëri”, vuri në dukje Ziberi.
Avokati i Popullit gjithashtu theksoi rolin e rëndësishëm të organeve vetërregullues, siç është KEMM. “Kur flasim për këtë temë, nuk duhet harruar organet rregullatore në këtë sferë, siç është Këshilli i Etikës në Media, të cilët luajnë një rol të rëndësishëm nga vështrimi i mbrojtjes së të drejtave, në aspektin e ngritjes së vetëdijes, rëndësisë dhe saktësisë së informacionit kundër dezinformatave . Mendoj që nuk ka ndonjë qeveri në botë që nuk është e prirë t’i kontrollojë mediat, e vetëdijshme për fuqinë e tyre”, theksoi Ziberi.
Në fund të diskutimit, Avokati i Popullit theksoi rolin e gazetarëve si korrigjues të pushtetit: “Por, janë gazetarët ata që do të tregojnë dhe dëshmojnë me profesionalizmin e tyre se roli i korrigjuesit të pushtetit është i një rëndësie të jashtëzakonshme, pikërisht për qeveritë. Dhe se ata nuk duhet të shihen si armiq, por duhet të perceptohen si aleatë, sepse luajnë rol të rëndësishëm, si në respektimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, ashtu edhe në ngritjen e nivelit të demokracisë dhe sundimit të së drejtës. Ekzistimi i korrigjuesve për një pushtet, e në atë funksion padyshim që duhet të jenë edhe mediat, mund të sjellë dobi të madhe, jo vetëm për shoqërinë, por edhe për bartësit e funksioneve publike, pra për pushtetin”, deklaroi Ziberi në panelin e Institutit për Media dhe Analitikë IMA, gjatë promovimit të publikimit “Mediat dhe të drejtat e njeriut (analiza)”.