Ish-avokati i popullit, Naser Ziberi, mbrëmjen e sotme në emisionin “Debat në SHENJA”, e ka cilësuar si të gabuar dhe të ngutshëm vendimin e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinoski, lidhur me njoftimet për gjoba përmes SMS-ve.
Sipas Kostadinoskit, këto njoftime dërgohen në gjuhën maqedonase dhe mund të dërgohen edhe në gjuhën angleze, por jo në gjuhën shqipe.
Ziberi tha se një vendim i tillë ishte i pritshëm, duke pasur parasysh, sipas tij, strukturën dhe mënyrën e funksionimit të Gjykatës Kushtetuese, si dhe drejtimin e saj aktual.
“Ishte i pritshëm dhe i gabuar. I pritshëm duke marrë parasysh strukturën e asaj gjykate dhe personin që e drejton atë. Duke parë mënyrën e vendimmarrjes në Gjykatën Kushtetuese dhe të gjitha rrethanat, mund të thuhet se ishte një epilog i pritshëm. Por pa dyshim është vendim i gabuar, sepse nuk mbështetet në dispozitat kushtetuese dhe ligjore. Aq më tepër kur në deklaratën e tij thuhet se njoftimet ndaj qytetarëve mund të jenë edhe në gjuhën angleze”, deklaroi Ziberi.


