Ziadin Sela sot së bashku me kandidatin për kryetar komune të Strugës nga AKI, Arsim Dalipi, në zyret e ASH-së në Strugë, u takuan me shefin e misionit të OSBE-ODIHR, z. Matteo Mecacci.
Në këtë takim u bisedua mbi rëndësinë e zgjedhjeve lokale të 19 tetorit dhe mbarëvajtjen e tyre.
Në lidhje me këtë takim, Sela ka shkruar se zgjedhjet lokale të 19 tetorit janë të rëndësishme për të ardhmen e vendit dhe qytetarëve, andaj edhe mbarëvajtja e tyre dhe gjithë procesi duhet të shihen si të tilla nga të gjitha palët dhe aktorët e përfshirë.
Shkrimi i plotë i Ziadin Selës në vijim:
Sot në zyrat e Aleancës për Shqiptarët në Strugë, bashkë me kandidatin për Kryetar të Komunës së Strugës, z.Arsim Dalipi dhe kandidaten për Këshillin Komunal të Strugës, zonjën Erzana Spaho, realizuam takim me shefin e misionit të OSBE-ODIHR, z.Matteo Mecacci dhe anëtarët e tjerë të delegacionit, Marie Therese Karlen, Nadia Jurzuc dhe Edin Shabani.
Zgjedhjet lokale të 19 Tetorit janë të rëndësishme për të ardhmen e vendit dhe qytetarëve, andaj edhe mbarëvajtja e tyre dhe gjithë procesi duhet të shihen si të tilla nga të gjitha palët dhe aktorët e përfshirë.
Me përfaqësuesit e misionit vëzhgues të OSBE-ODIHR biseduam edhe për zhvillimet e tjera politike në vend, me theks të veçantë debllokimin e procesit euro integrues të vendit. E ardhmja europiane është prioritet i ynë dhe mbetet angazhimi primar, bashkë me të drejtat, liritë e qytetarëve dhe vlerat demokratike.