24 Tetor 2018 / 15:18
Kryetari i nderit të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski nuk komenton zhvillimet në parti. Ish kryeministri Nikolla Gruevski shprehet se nuk posedon argumentet e nevojshme për të komentuar vendimet e partisë, por që nga ana tjetër shpreson për një VMRO të fortë e cila sipas tij do të fitojë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare duke i dhënë fund, siç e quan ai, të keqes aktuale në vend.
Dëshiroj një VMRO-DPMNE të bashkuar, të fortë dhe fituese e cila shpejtë do ta shkatërrojë këtë të keqe në Maqedoni. është dëshmuar edhe në të kaluarën, kur VMRO-ja është e fortë, e fortë është edhe Maqedonia. Këtë e dëshirojnë edhe qytetarët- tha Gruevski.
Për përvjetorin e VMRO-së, kryetari aktual i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, deputetët që votuan për nismën e ndryshimeve kushtetuese i quajti tradhtar dhe faktorë që nuk lejuan vendin të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Mickoski kërkoi amnisti për 27 prillin, si bazë për të filluar paqen dhe pajtimin brenda kombëtar.
Silleni ligjin për amnisti të propozuar për të gjithë pjesëmarrësit e 27 prillit që të mos ketë drejtësi selektive por drejtësi për të gjithë- tha një ditë më parë Hristijan Mickoski.
Jo më larg se 10 ditë më parë, në ekspozenë për nevojën e ndryshimeve kushtetuese, Zoran Zaev zgjati dorën e pajtimit duke filluar që nga ngjarjet e 27 prillit. VMRO-DPMNE-ja hodhi poshtë propozimin e tij, duke theksuar se nuk duan amnisti por drejtësi.
Kërkojmë drejtësi për këta njerëz që të vërtetohet ky rast i montuar dhe i fabrikuar, në institucione duke u bazuar në fakte dhe pa presione. Që të ketë amnisti, duhet të llogariten të gjithë të pafajshmit si fajtorë- kishte thënë Igor Janushes.
Kryeministri Zoran Zaev nuk e pranon propozimin e Mickoskit. Ai theksoi se pajtimi ndër nacional është i nevojshëm, por jo duke ndikuar në pavarësinë e organeve të drejtësisë.
Dua t’i dëgjojë të gjitha propozimet dhe gjithnjë me vëmendje i ndjek propozimet e opozitës. Por dua të theksoj se nuk guxojmë ta rrëzojmë shtetin e së drejtës sepse sundimi i ligjit dhe reformat në drejtësi janë reformat kyçe. Me kujdes na ndjekin shtetet e BE-së dhe çdo gjë që bëjmë duhet ta bëjmë me kujdes me qëllim që ta realizojmë paqen dhe faljen kombëtare por duke mos e cenuar shtetin e së drejtës- deklaroi Zoran Zaev.
Pas miratimit të nevojës për ndryshime kushtetuese në Kuvend, opozita largoi nga partia 8 deputetët e saj dhe të koalicionit. Ata i cilësoi si tradhtar të ideologjisë dhe shkelës të parimeve partiake. Pas pak ditëve, Komiteti Qendror përjashtoi nga partia edhe nënkryetarin Mitko Jançev dhe anëtarin e Komitetit Ekzekutiv, Kostadin Bogdanov, ndërsa vala e përjashtimeve përfshiu edhe ish drejtorin e DSK-së, Sasho Mijallkov dhe ish ministri i Shëndetësisë, Nikolla Todorov duke i akuzuar për “bashkëpunim kriminal” me kryeministrin Zoran Zaev dhe vëllain e tij Vice Zaev me qëllim sigurimin e numrave të nevojshëm për ndryshimet kushtetuese. Të përjashtuarit pothuaj se njëzëri vendimet e partisë i quajtën pasoja të mendimit ndryshe nga kryetari.
Adrian Kerimi


