Emisioni i mbrëmshëm “Opinion” është i fokusuar tek zgjedhjet e fundjavës në Maqedoni, rolin e shqiptarëve si edhe ndikimin e elementit fetar në ofertën politike të subjekteve të caktuara.
Analisti Artur Zheji tha se BDI-ja e kishte mundësinë që të implementonte Marrëveshjen e Ohrit, por nuk ka mundur ta bëjë atë.
“Nga viti 2002 kishim 14 vite të bollshme që kjo marrëveshje të realzohej dhe nuk është realizuar. Kemi humbje të peshës polItike të shqiptarëve. Kemi korrupsion endemik në administratë. Ali Ahmeti nuk ka kontrollin që ka patur të votës tek shqiptarët,” tha ai.
Gazetari, Idaver Sherifi tha se vërehet një rritje e pakënaqësisë ndaj partive shqiptare dhe kjo ka bërë që të lindin parti të reja duke fragmentuar edhe votën e shqiptarëve ç’ka sjell edhe ulje të përfaqësimit të shqiptarëve në Kuvendin e Maqedonisë.
“Në mënyrën se si janë ndarë shqiptarët aty është mundësia maksimale që të marrin nga 22 deri në 24 deputetë në Kuvend. Pjesëmarrja e shqiptarëve pritet të jetë shumë e ulët kurse maqedonasit janë angazhuar shumë që të marrin pjesë.
Gjatë emisionit “Opinion” gazetari Berat Buzhala foli mbi rolin e shtetit turk në politikën e Maqedonisë.
“Qeveria turke ka arrit me fut nënkontroll edhe Preshevën përmes kryetarit që është zgjedhur atje. Turqia ka një politikë për të shtrirë ndikimin e vet nëpërmjet ekonomisë në të gjitha zonat ku ka pas shtrirje Perandoria Osmane. Interesi i tyre është jetik, që Turqia të ketë një rol dominant në Ballkan, pak a shumë, kjo është loja që po luhet,” tha ai./Ina