Intervistoi: Latif Mustafa
Në muajin shkurt u publikua Strategjia e Besueshme e Zgjerimit të BE-së. Në kuadër të kësaj strategjie, përpos Malit të Zi dhe Serbisë, që u njihej një datë e mundshme anëtarësimi, shteteve të tjera të Ballkanit Perëndimor, përpos lëvdatave për avancim, asgjë më tepër se kaq. Revista Shenja në kuadër të numrit të 83 të saj, i cili i dedikohet analizimit të raporteve të historike të Evropës dhe Balkanit, gjegjësisht BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, ka arritur ta zhvillojë një intervistë të shkurtër me Ambasadorin e BE-së në Shkup, z. SamuelZhbogar.
SamuelZhbogar është një politikan dhe diplomat me një karrierë të gjatë politike. Edhe pse kishte marrë pjesë në shumë projekte diplomatike të shtetit të Sllovenisë, karrierën e tij e fillon si ambasador i Sllovenisë në Kinë më vitin 1993. Ai ka vepruar edhe si zëvendës-ambasador në Kombet e Bashkuara, zëvendës-ambasador i Sllovenisë në Këshillin e Sigurimit si anëtare permanente e saj. Ai po ashtu ka qenë edhe ambasador në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pas kthimit nga SHBA-ja, ai u bë edhe drejtor i Qendrës për Hulumtime Strategjike në Lubjanë. Gjatë vitit 2008- 2012 ka qenë ministër i Jashtëm i Sllovenisë në qeverinë e qendrës së majtë të BorutPahor-it. Momentalisht është Ambasador i BE-së në Maqedoni, ndërsa para kësaj ka qenë shef i zyrës ndërlidhëse në Kosovë.
Shenja: I nderuar z. Zhbogar! Ballkani, e në veçanti Ballkani perëndimor aspiron aderimin në BE për gati tri dekada, kurse në anën tjetër as vullneti i BE-së për ta pranuar nuk ka munguar. Pse nuk ndodh bashkimi?
S.Zhbogar: BE-ja që nga viti 2003 ka shprehur mbështetje të parezervë ndaj perspektivës Europiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor. E ardhmja e Ballkanit është brenda Unionit Europian. Këtë e konfirmoi së fundmi presidenti i Komisionit z. Juncker, por gjithashtu edhepërfaqësuesja e lartë e BE-së znj. Mogerini në vitin e kaluar. Sidoqoftë, përgatitjet për integrim brenda strukturave europiane dhe anëtarësimi përfundimtar brenda Bashkimit Europian përmes adoptimit të standardeve europiane ishte dhe mbetet një sfidë e madhe. Shpejtësia e lëvizjes drejt integrimit Europian mbetet në duart e vendeve të rajonit.
Shenja: Vend të rëndësishëm në publikimin e strategjisë nxë forcimi i ligjit. Po ashtu theksohet lufta kundër shtetit të kapur, korrupsionit dhe krimit të organizuar në nivel të qeverisjes dhe administratës. Për vite me radhë, korrupsioni dhe krimi i organizuar e riprodhojnë vetveten në vazhdimësi. A besoni se këto fenomene mund të çrrënjosen nga brenda, pa ndonjë ndërhyrje serioze të BE-së përmes mekanizmave të sanksionimit?
S. Zhbogar:Mendoj që korrupsioni dhe krimi i organizuar i dëmton qytetarët, kompanitë, administratën publike dhe partitë politike. Është interes i më vete i secilit vend – me ose pa hyrjen në EU – që t’i adresojnë këto çështje. Normalisht, vullneti politik dhe social është i domosdoshëm. BE-ja ka ndihmuar dhe do të vazhdoj të ndihmoj vendin të adresojë çështjen por nuk mund ta bëjë atë në vend të tij.
Shenja: Deri më tani aderimi në BE është perceptuar si proces burokratik dhe administrativ. Pesë shtete të BE-së nuk e kanë pranuar Kosovën si shtet të pavarur në anën tjetër për në anën tjetër shohim një rritje të së djathtës ekstreme në Europë, posaçërisht në Hungari, Austri dhe Poloni. Pasi që shtetet e Ballkanit Perëndimor të kenë plotësuar kushtet burokratike të pranimit, a mund të rrezikohet hyrja shkaku i politikave të djathta-ekstreme të ndonjë shteti Europian?
S. Zhbogar:Spektri politik Europian është dhe mbetet i larmishëm. Uniteti ynë mbështetet gjithashtu në diversitetin tonë. BE-ja nuk ka të bëjë vetëm me plotësimin e kushteve burokratike ose markimin e kutive, por është pranim dhe respektim i vazhdueshëm si dhe promovim i vlerave të përbashkëta të të gjitha palëve politike. Kjo kërkon një përgjigje gjithëpërfshirëse shoqërore apo përmbushje të zgjedhjes që keni bërë që shkon përbri me rrugën e integrimit Europian.
Shenja: Në kuadër të strategjisë, dy shteteve që iu është dhënë përparësi është Serbia dhe Mali i Zi. A mundet që Serbia të bëhet pjesë e EU-së pa e njohur si pavarësinë e shtetit të Kosovës?
S. Zhbogar:Strategjia për Ballkanin Perëndimor paraqet një udhërrëfyes të mundshëm,më të detajuar për ato vende-kandidate të cilat veç më i kanë filluar negociatat. Një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjerisht e detyrueshme dhe normalizuese është urgjente dhe kyçe që Serbia dhe Kosova të mund të hapërojnë secila në rrugën përkatëse europiane.
Shenja: Çfarë mendoni për kontestin e emrit në mes Maqedonisë dhe Greqisë dhe si mund të reflektojë një marrëveshje e re në mes këtyre dy shteteve? Si mund të reflektojë një rezultat i kundërt?
S. Zhbogar:Marrëdhëniet e mira fqinjësore janë në zemër të parimeve të BE-së. Marrëveshja me Bullgarinë ka treguar tashmë se çështjet e vështira rajonale mund të zgjidhen me vendosmëri dhe respekt reciprok. Negociatat për çështjen e emrit nën patronazhin e Kombeve të Bashkuara kanë marrë hov dhe intensitet. Me padurim e presim përfundimin e tyre.
Shenja: Sipas strategjisë nëse Serbia dhe Mali i Zi i përmbushin kushtet, potencialisht, mund të bëhen anëtare në vitin 2025. Po Maqedonia?
S. Zhbogar:Strategjia është e qartë se vendet mund ta arrijnë njëri-tjetrin në procesin e negocimit. Data e anëtarësimit varet nga progresi i secilit vend në reformat dhe përgatitjet për anëtarësim si dhe në aftësinë e BE-së për t’i pranuar anëtarët e rinj, ashtu siç është paraparë në strategji.