Nuk kishte rrëmujë të madhe para departamentit të punëve të brendshme për lëshimin e letërnjoftimeve, pasi Qeveria mbrëmë pas seancës njoftoi se prej sot vazhdon shtypja dhe lëshimi i letërnjoftimeve. Nga MPB njoftojnë se letërnjoftimet e qytetarëve që kanë dorëzuar kërkesa dhe që tashmë janë fotografuar, do të fillojnë të shtypen nga kjo fundjavë, ndërsa nga pasnesër do mund edhe të merren.
– Advertisements –
Kjo do të thotë se letërnjoftimet e para do të lëshohen nga e hëna edhe atë në mënyrë sukcesive. Miratimi dhe personalizimi do të bëhen sipas rendit, gjegjësisht për qytetarët që janë fotografuar dhe më pas do vazhdojmë me qytetarët tjerë -deklaroi Suzana Pranjiq Talevska-zëdhënëse e MPB-së.
Procesi u zhbllokua pasi Qeveria vendosi të miratojë akt nënligjor për harmonizimin e ligjit për letërnjoftime me ligjin për përdorimin e gjuhëve. Letërnjoftimet e reja do jenë me emrin e ri kushtetues Maqedonia e Veriut.
Pra, harmonizimi me Ligjin për përdorimin e gjuhëve do të thotë se letërnjoftimet e qytetarëve që janë të paktën 20 për qind në shtet sipas detyrës zyrtare do t’u lëshohen edhe në gjuhën e tyre. Të gjitha bashkësitë tjera që janë më pak se 20 për qind, këtu mendoj për serbët, turqit, romët, vllahët dhe boshnjakët, sipas ligjit do të kenë mundësinë që letërnjoftimi i tyre të lëshohet me kërkesën e tyre në gjuhën e tyre – tha Suzana Pranjiq Talevska – zëdhënëse në MPB.
Procesi u bllokua për thuajse dy muaj. Mbi 40 mijë qytetarë mbetën me letërnjoftime të skaduara. Lëshimi u ndal pasi Ministria e Brendshme përmirësoi sistemin për lëshimin e dokumenteve personale me emrin e ri kushtetues, si dhe në përputhje me Ligjin për përdorimin e gjuhëve. Kjo është arsyeja pse u propozuan ndryshime në Ligjin për letërnjoftime, por ai u bllokua në Parlament. Partia E Majta parashtroi 1.500 amendamente për shkak të kërkesës së BESA-s për të përfshirë përkatësinë etnike të qytetarit në letërnjoftim. Ndryshe, akti nënligjor që zhbllokoi lëshimin e letërnjoftimeve u shpall që dje në Gazetën Zyrtare. Me këtë pritet që qytetarët të mos kenë problem me dokumentet personale gjatë regjistrimit të ardhshëm të popullsisë dhe zgjedhjeve lokale.
Alsat