Nëse Bisedimet e Brukselit kanë qenë politike, nëse atje është folur për çështjet e brendshme të Kosovës, me një palë jashtë Kosovës, në rastin tonë me Serbinë, atëherë pjesë e bisedimeve është dashur të jetë domosdo edhe opozita në mënyrë që opinioni të ishte i informuar më kohë. Nuk ka asnjë dyshim, bisedimet e zhvilluar në mes qeverisë së Serbisë dhe të Kosovës me ndërmjetësimin e BE-së të zhvilluara në Bruksel, nuk kanë qenë të përgatitura, nuk kanë qenë transparente, nuk janë brenda Dokumentit ye Presidentit Ahtisari, janë tepër të dëmshme për funksionimin e shtetit të Kosovës, krijojnë një Bashkësi etnike politike e cila është në kundërshtim flagrant me përmbajtjen dhe frymën e përfundimeve te Konferencës se Vjenës të përmbledhura në Dokumentin Gjithëpërfshirës për Zgjedhjen e Statusit Politik të Kosovës. Të gjitha këto janë dëshmi se Kryeministri i Kosovës që i ka nënshkruar këto marrëveshje, ai ka qenë jashtë mandatit të tij kushtetues, mbase edhe politik. Pasi është jashtë mandatit të tij kushtetues, ai duhet ta dorëzoj mandatin për t’ju hapur udhë zgjedhjeve të parakohshme. Ndoshta ka pasur mundësi t’i ikej zgjedhjeve të parakohshme sikur të kishim Ligjin për Referendumin, ku qytetarët e Kosovës ta shprehnin mendimin e tyre për këto marrëveshje.
Ne një situatë të tillë, zgjidhja e problemit të krijuar pas nënshkrimit të marrëveshjeve, duhet kërkuar jashtë Kuvendit, ne një marrëveshje të liderëve politik të pozitës e të opozitës, të cilët duhet ta gjejnë daljen nga ky ngërç politik. Zgjedhja ndoshta duhet kërkuar në krijimin e një qeverie teknike e cila në një periudhë prej gjashtë muajve dihet të krijonte një ambient të përshtatshëm për mbajtjen e zgjedhjeve të lira, të fshehta, të rregullta e demokratike. Zgjedhje të cilat duheshin ta garantonin në plotëni vullnetin e qytetarëve të Kosovës të shprehur në kutitë e votimit. Ndërsa për marrëveshjet e arritura më 25 gusht 2015 duhet të shpallet një moratorium deri në krijimin e institucioneve që do të dalin nga zgjedhjet e reja. Këto zgjedhje do të kishin dy funksione, përveç zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës do të ishin edhe një lloj Referendumi qytetarëve për marrëveshjet e arritura më 15 gusht 2015. Nëse qytetarët ua dhënë besimin, këtyre që i kanë nënshkruar këto marrëveshje të dëmshme për Kosovën, le ti vazhdojnë. Opozita e bashkuar, sigurisht që nuk do të luftoj kundër vullnetit të shumicës qytetare.
Është e qartë se nga ky ngërç apo nga kjo krizë politike nuk mund të dilet me kryeneçësi politike, por dalja duhet të gjendet në urtinë politike. Po kjo kërkon pjekurinë dhe vullnetin e partive të koalicionit qeverisës, pasi këto institucione që nga fillimi i kanë përcjellë dobësi të shumta, dobësi që po reflektojnë më të madhe edhe në formën e qeverisjes. Natyrisht që për ketë zgjidhje duhet të deklarohet dhe të ndihmojnë partnerët e perëndimit si SHBA-të e BE-ja, të cilët e kishin një rol edhe në krijimin e këtij koalicioni jo parimor. Ky koalicion qeverisës me urtësi politike duhet ta shkurtoj qeverisjen e keqe për ti dhënë udhë zgjedhjeve të parakohshme dhe përfundimin e kësaj krize.