Këshilli Gjyqësor zgjodhi ushtruesit e detyrës së drejtuesve të Gjykatës Themelore Shkupi 1 dhe Gjykatës Supreme. Tatjana Mihajllova është caktuar ushtruese detyre në Gjykatën Themelore Shkupi 1, ndërsa Snezhana Bajlozova në Gjykatën Supreme. Kjo pasi sot u mbaroi mandati Vlladimir Pançevskit dhe Lidija Nedellkovës. Në pamundësi për të bërë zgjedhje të rregullta për shkak të zgjedhjeve parlamentare, ushtruesit e detyrës do të mbajnë funksionin deri pas 11 dhjetor kur duhet të caktohet datë për zgjedhje të reja për kryetarët e Themelores dhe Supremes.
Kryetari i Këshillit Gjyqësor Zoran Karaxhovski kujtoi se po vijon vlerësimi i jashtëzakonshëm i Lidija Nedellkovës dhe Vlladimir Pançevskit pasi rezultatet e tyre të suksesit ishin të vjetra, prej vitit 2013 dhe 2014, dhe pas zgjedhjeve do të dilet edhe me datë për zgjedhjet e kryetarëve të dy gjykatave.
“Në bazë të vlerësimeve të vitit 2014, u zgjodhën këto ushtrues detyre me vlerësimet më të larta…Për ushtruesit e detyrës nuk kemi marrë vendim për vlerësime të jashtëzakonshme pasi për ushtrues detyre merren vlerësime vetëm për vitin e fundit të punës, ndërsa për kryetar të rregullt duhet të shihet vlerësimi për dy vite të fundit nga puna…Pasi të mbarojë vlerësimi i jashtëzakonshëm dhe pas zgjedhjeve parlamentare do të bëhet emërimi përfundimtar”, ka deklaruar Zoran Karaxhovski, kryetar i Këshillit Gjyqësor.
Për përzgjedhjen e Bajlozovës në krye të Gjykatës Supreme, votat e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor ishin unanime, ndërsa për ushtruesen e detyrës në Gjykatën Themelore të Shkupit Tatjana Mihajlova, katër anëtarë ishin kundër. Por, për kryetarin e Këshillit Gjyqësor ky element nuk ishte shumë i rëndësishëm pasi secili ka të drejtë të shpreh mendimin e tij. Tatjana Mihajllova është gjykatëse në lëndën e Prokurorisë Speciale për shuplakat e kryetarit të Komunës Qendër Andrej Zhernovski ku dyshohet ish-kryeministri Nikolla Gruevski.
Kandidat për kryetar të rregullt me mandat 4-vjeçar të Gjykatës Themelore janë kryetari aktual Vlladimir Pançevski, gjykatësit Ivan Xholev dhe Vlladimir Turexhiq, ndërsa në Gjykatën Supreme synojnë kryetarja aktuale Lidija Nedellkova dhe gjykatësit Jovo Vangellovski, Snezhana Bajlozova dhe Besa Ademi.
Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/
Zgjidhen ushtruesit e detyrës për Gjykatën… by tvshenjaofficial