Kryeministri Zoran Zaev beson se deri më 15 prill do të plotësohen të gjitha vendet vakante në ekzekutiv.
Gjatë kësaj periudhe do të tentohet të miratohen edhe të gjitha ligjet reformuese. Madje kjo mësohet të kishte qenë një nga pikat kryesore të takimit të djeshëm me partnerin e tij të koalicionit, Ali Ahmetin. Vendimet e mëdha kërkojnë përkrahje me të madhe, tha Zaev duke aluduar në ndryshimin e emrit dhe votimin e ligjeve reformuese, si kusht për përparimin në proceset euro-atlantike, gjë që normalisht kërkon edhe numra në Parlament. Zaev thotë se do të bisedojë me të gjitha partitë politike dhe deputetët të interesuar, me qëllim, zgjerimin e koalicionit të qeverisës.
Biseduam për zgjerimin e koalicionit, që ta rrisim numrin e deputetëve dhe ta bëjmë sa më stabile shumicën parlamentare pasi që Maqedoninë e presin vendime me të vërtetë serioze. Para kemi reforma por edhe zgjidhjen e problemit me Greqinë, proceset integruese, data për bisedime dhe thirrja për në NATO e kështu me radhë. Për këto arsye, jemi të hapur për të biseduar me subjekte politike dhe me deputet që janë pjesë e Parlamentit. 00- 38 Nuk po shpejtojmë për arsye se zv/ministri mund ta zëvendësojë Ministrin kur nuk është i pranishëm pra nuk bëjnë asnjë far ndalese. Jam i bindur se brenda pjesës së parë të muajit prill do të kompletohemi edhe në pjesën e zv/ministrave por edhe të sekretarëve shtetërorë por në institucionet tjera shtetërore që ende nuk janë të plotësuara – deklaroi kryeministri Zoran Zaev.
Të dy Lëvizjet Besa mohojnë që deri tani të kenë marr ndonjë ofertë konkrete për të qenë pjesë e ekzekutivit, por shprehen të gatshme për të filluar bisedimet.
Zyrtarisht ne ende nuk kemi marrë ftesë për të filluar bisedimet për kyçje eventuale në Qeveri. Momentin që arrin një ftesë e tillë, ne do e njoftojmë opinionin dhe gjitha bisedimet që do i zhvillojmë do të jenë transparente për opinionin publik – thanë nga Besa e Kasamit.
Ne, ashtu siç e kemi thënë disa herë, kemi gatishmëri për të dhënë kontributin tonë në këtë drejtim. Nëse kryeministri shpreh gatishmëri ta pranoje Lëvizjen Besa me parimet dhe principet e saja, për ne nuk është problem – thanë nga Besa e Gashit.
PDSH-ja e Menduh Thaçit nuk përgjigjet në pyetjet e Alsat-M, nëse po zhvillojnë bisedime me Kryeministrin Zaev për zgjerim të koalicionit dhe se cilat do të ishin kushtet e tyre për tu bërë pjesë e qeverisë. Kthimin prapa në Qeveri nuk është i pamundur as për Aleancën për Shqiptarët. Kreu i këtij subjekti, Ziadin Sela në një intervistë për media tha që në këto rrethana nuk do të ktheheshte, por duke lënë një derë hapur për vazhdim eventual të bashkëpunimit. Të pakapshëm për Alsat sot ishin Partia Turke në Maqedoni, për të cilët flitet se janë të gatshëm gjithashtu për të qenë pjesë e shumicës.